Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore nisi sot në Durrës fushatën e ndërgjegjësimit “Së bashku arrijmë më shumë” për punonjësit e fasonerive, një nga sektorët me numrin më të madh të të punësuarve.

Një grup inspektorësh nga ky institucion ishin paraditen e sotme në fasonerinë “Ambra” në Durrës, ku morën kontakt nga afër me rreth 400 punonjëset e këtij biznesi.

Irida Qosja, drejtore e inspektimit dhe zv/kryeinspektore në këtë drejtori, tha për “DurrësLajm” se është zgjedhur pikërisht fasoneria “Ambra”, sepse është një nga bizneset e vlerësuara nga Inspektoriati i Punës si zbatues mjaft i rregullt i kushteve dhe kontratës së punës.

Fushata e ndërgjegjësimit do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë në ditët dhe javët në vazhdim. Ajo do të pasohet nga kontrollet e inspektorëve të drejtorive rajonale.

Në vendin tonë ushtrojnë aktivitetin 780 biznese fasone, që numërojnë më shumë se 65 mijë të punësuar. Ndërkohë, në Durrës, 120 biznese fasone kanë punësuar rreth 10.500 punonjës.    

M.B.