ITALI– Ndërsa koret raciste mbushin stadiumet dhe gazetat, arbitri më i mirë i vitit 2012  quhet Eduart Pashuku. Të paktën në Albano Laziale, ku 23-vjeçari me origjinë shqiptare ka fituar çmimin Broccolo d’Oro, një vlerësim për arbitrin më të mirë të sezonit.

Brenda shumë pak vitesh Pashuku kaloi nga kategoria e të rinjve në atë kombëtare, që përfshin ndeshjet e serisë A për femra. Eduarti jeton në Itali që kur ishte njëmbëdhjetë vjeç. Banon në Nemi, pranë Romës, dhe pas një diplome për gjeometër, është regjistruar në fakultetin e shkencave politike.

Që nga viti 2008 ka filluar karrierën e tij si arbitër. "Kjo qe më shumë zgjedhje, jo ndjekja e një pasioni. Kuptova që nuk kisha talent si futbollist, por s’desha të braktis ëndrrën për të qëndruar në fushë, e kështu vendosa të bëhem arbitër. Po, duhet të pranoj se kjo ishte një zgjedhje e dytë, por u ndjeva mirë me atë uniformë",- thotë ai për “Shqiptari i Italisë”.

"Il Broccolo d'oro" (Lulekakra e Artë) është një çmim prestigjioz mes arbitrave të Castelli Romani. "Çmimin ma kanë dhënë sepse jam dalluar në mënyrë të veçantë në arbitrimin e ndeshjeve në kategorinë e Ekselencës dhe për mua ishte një emocion i madh kur e mora, aq më shumë sepse ma dorëzoi Kryetari i Shoqatës së Arbitrave Italianë, Marcello Nicchi. Të jesh arbitër sigurisht që nuk është më pak e lodhshme se të jesh futbollist, duhet një përgatitje e mirë fizike, stërvitja duhet të jetë e  vazhdueshme. Kur universitetit dhe punës në darkë si kamarier në restorant, i shton dhe ndeshjet, nuk është e lehtë",- thotë Pashuku.

Eduarti është arbitri i parë "i huaj" i aktivizuar në Lazio dhe është i pari “shqiptar" në kategorinë kombëtare. Ndryshe nga lojtarët, arbitrat e lindur jashtë vendit janë ende të pakët.