Italia po përballet me sezonin më të rëndë të gripit në dekadat e fundit, me mbi 16 milionë e 100 mijë raste të raportuara gjatë sezonit 2024–2025, sipas të dhënave më të fundit nga instituti kombëtar italian Istituto Superiore di Sanità.

Këto shifra, të mbledhura nga sistemi i mbikëqyrjes RespiVirNet, tejkalojnë çdo rekord të mëparshëm për sindromat e ngjashme me gripin. Vetëm në javën e fundit janë konfirmuar 221 mijë raste të reja, edhe pse me një rënie të lehtë krahasuar me javën pararendëse.

Specialistët thonë se numri kaq i lartë vjen si pasojë e qarkullimit të njëkohshëm të disa tipeve virale. Sipas profesor Gianni Rezza, këtë vit nuk kishte një virus dominues: rastet u ndanë në mënyrë të barabartë mes viruseve të gripit A/H1, A/H3 dhe B, duke e bërë një pjesë të madhe të popullsisë më të pambrojtur.

Përveç viruseve të gripit, ndikim të fortë kanë pasur edhe rinovirusi dhe virusi respirator sincicial, të cilët qarkullojnë zakonisht në stinën e dimrit dhe ndikojnë sidomos te fëmijët dhe të moshuarit.

Situata paraqitet e rënduar edhe në SHBA, ku midis 47 dhe 82 milionë persona janë prekur, me të paktën 26 mijë vdekje të raportuara, sipas CDC. Ndërsa edhe Bashkimi Evropian e ka cilësuar këtë si një sezon intensiv gripi.

Ekspertët rekomandojnë vigjilencë të shtuar, veçanërisht për grupet në rrezik, ndërsa autoritetet shëndetësore vijojnë me fushatat e vaksinimit dhe masat e ndërgjegjësimit publik.