ITALI– Kur kanë kaluar më shumë se 20 vite nga periudha më e përgjakshme e luftës mes shtetit dhe mafias në Itali, kreu i komisionit parlamentar anti-mafia, Giuseppe Pisanu bën publik një raport të hetimeve disa-vjecare. 

Hetimet synojnë t’u japin përgjigje disa prej pyetjeve më të mëdha që kanë munduar italianët në gjithë këto vite. E para si kanë qenë marrëdhëniet shtet-Cosa Nostra? Pisanu thotë se nuk ka patur asnjëherë diskutime mes të dërguarve të shtetit dhe mafiozëve, por vetëm marrëveshje aty-këtu mes eksponentëve të Cosa Nostra-s dhe të mandaturve zyrtarëve shtetërorë. 

Pisanu nuk mohon se ka patur takime të tilla, por analizon se zyrtarët që kontaktuan mafian në ato vite, nuk ishin zyrtarisht të mandatuar për bisedime dhe as pala tjetër nuk ishte e unifikuar duke qenë se brenda vetë Cosa Nostra-s kish lindur përçarja mes linjës tradicionale dhe asaj të ashpër, që kulmoi me vrasjen e kryeprokurorit Falcone, nga kreu i kësaj rryme, Toto Riina, i quajtur ndryshe “Shefi i Shefave” (Il capo dei Capi). 

Formalisht, thuhet në raportin e Pisanu-s, bisedimet mes zyrtarëve shtetërorë dhe përfaqësuesve të mafias, përfunduan në dhjetor të 1992-it me arrestimin e Vito Ciancimino-s, në atë kohë kryebashkiak i Palermos. I zgjedhur nga radhët e kristian-demokratëve, Ciancimino u shndërrua në zyrtarin e parë italian të dënuar për pjesëmarrje në një organizatë mafioze. Një muaj pas arrestimit të tij, pikërisht më 15 janar të 1993 u arrestua Toto Riina. 

Pisanu ngre pyetjet: nëse këto dy arrestime lidheshin direk apo indirekt në kontaktet mes mafias dhe zyrtarëve shtetërorë, cili do të përfaqësonte në vazhdim Cosa Nosta-n? Mos vallë heqja qafe e Toto Riina-s ishte garancia për një “mbretërim” të qetë për Provenzano-n, dhe pikërisht për këtë ambicie të tij, ai vendosi të shesë shefin e vet? Në fazën aktuale të hetimeve, thotë kreu italian i anti-mafias, nuk mund të japim përgjigje me saktësi të kënaqëshme. 

Në raport thuhet gjithashtu se Cosa Nostra ka siguruar asistencë nga jashtë për betejën e saj të dhunshme kundër shtetit. Për këtë Pisanu citon sulmin ndaj Falcone-s më 23 maj të 1993 në Capaci. “Në realizimin e shpërthimit të përqendruar në momentin kur do kalonte makina e Falcone-s duhej një zotësi teknike e konsiderueshme, që ne mendojmë se Cosa Nostra nuk ka mundur ta sigurojë e vetme”, thotë ai. 

Në këtë sulm, vijon raporti, dhe në të tjerë kemi parë aty-këtu fytyra që mbeten ende mister. "Nga janë? Nga vijnë?", ngre pyetjet Pisanu. 

Në përfundim, kreu i anti-mafias italiane thotë se mafia siciliane ka humbur terren ndaj shtetit, por gjithsesi mbetet e fortë dhe ka ndryshuar strategjitë e saj duke çoroditur sistemin ekonomik dhe social në vend. 

“Cosa Nostra është ende e fortë, por duhet theksuar se që nga vitet ’80 e deri më sot ka humbur mjaft terren ndaj shtetit, por edhe prestigj në sytë e rivalëve të saj, ‘Ndrangheta-s dhe të tjerave në rang ndërkombëtar”, përfundon raporti.