TIRANE– Rreth 20 milion eurove i fal Italia Shqipërisë, shumë kjo që rrjedh nga interesat e borxhit që vendi ynë i ka marrë fqinjit të përtej Adriatikut. Vlera monetare e falur do të shkojë për financimin e projekteve në investime publike në sektorë si shëndetësia apo arsimi.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se vendi ynë ka nevojë për mbështetje, pasi po përballet me sfida në sektorin ekonomik. Qeveritë e dy vendeve kanë konkretizuar marrëveshjen e nënshkruar pak kohë më parë duke krijuar edhe komitetin dypalësh që do të bëjë menaxhimin e fondit

“Për fazën e parë të këtij programi me vlerë prej 20 milionë euro, e cila do të përdoret për të mbështetur projekte të zhvillimit të qendrueshëm ekonomiko-social të vendit në fusha nga më të ndryshmet si në arsim, shëndetësi, përfshirje sociale”,-  tha ministri Bode.

 Ambasadori Italian në Shqipëri Masimo Gaiani tha ky fond duhet që të transformohet në projekte brenda 5 viteve. 

“Shqipëria është një prej vendeve që ka prioritet në realizimin e këtyre projekteve. Ky fond prej 20 milion eurosh duhet që të shkoj në zbatimin e projekteve brenda 5 viteve. Kryesisht në fokus do të jenë grupet më të dobëta” u shpreh Gaiani.

Sipas të dhënave të ministrisë së Financave borxhi ndaj Italisë llogaritet në 878 mln euro, nga të cilat 650 milionë janë grante të dhëna nga vendi fqinjë, ndërsa pjesa tjetër janë kredi.