Policia ka vendosur në pranga 27-vjeçarin Fabian Muçollari, i dënuar për vrasje dhe tentativë vrasje.

Uniformat blu u vendosën në ndjekje të 27-vjeçarit pas marrjes së informacionit se një shtetas me precedent kriminal posedonte armë zjarri dhe shpërndante lëndë narkotike në qytetin e Pogradecit.

Gjatë operacionit të koduar “Cold Hand”, gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës në lagjen nr. 1, Pogradec, Fabian Muçollarit iu gjetën në një çantë krahu një shufër metalike me mbishkrimin “Policia”, 2 armë zjarri pistoletë, 1 silenciator, 3 krehra, 1 shkop metalik, një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 5 aparate celularë, 2 karta banke, 1 pasaportë biometrike dhe një shumë parash (lekë, euro dhe dollarë australianë).

Gjithashtu u sekuestrua edhe automjeti i tij, informuan blutë. Sipas informacioneve 27-vjeçari ka dalë nga burgu në qershor të vitit 2024.