Izraeli ka deklaruar se ka vrarë komandantin e krahut të armatosur të Hamasit, Mohammed Odeh, gjatë një sulmi ajror në qytetin e Gazës, vetëm pak ditë pasi paraardhësi i tij u eliminua në një operacion të ngjashëm.
Sipas ushtrisë izraelite dhe agjencisë së sigurisë Shin Bet, sulmi kishte në shënjestër disa ndërtesa që shërbenin si vendstrehim për Odeh, pas muajsh monitorimi të lëvizjeve të tij dhe të bashkëpunëtorëve.
Nga sulmi, që goditi një ndërtesë banimi në zonën e tregut në qendër të qytetit të Gazës, humbën jetën të paktën tre palestinezë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, raportojnë mjekët lokalë dhe dëshmitarët.
Sulmi ndodhi në një moment kur rrugët ishin të mbushura me qytetarë që po bënin blerje përpara festës së Kurban Bajramit. Dëshmitarët thanë se ndërtesa u godit nga disa raketa pothuajse njëkohësisht, ndërsa ekipet e shpëtimit hasën vështirësi për shkak të dëmeve të mëdha dhe kaosit në zonë.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu e përshkroi Mohammed Odeh si “një nga arkitektët” e sulmeve të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Ndërkohë, Hamasi ende nuk ka konfirmuar vdekjen e Odeh. Ai ishte emëruar në krye të Brigadave Qassam në muajin maj, pas vrasjes së Izz ad-Din al-Haddad në një tjetër sulm izraelit.
Pavarësisht armëpushimit në fuqi, Izraeli vijon operacionet ushtarake në Gaza, ndërsa Hamasi akuzon Tel Avivin për shkelje të marrëveshjes dhe sulme ndaj civilëve.





