Shqipëria nuk ka shifra të sakta të sëmurëve mendorë, por në Tiranë të paktën 5.100 persona me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore marrin ndihmë sociale. Vetëm pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës miratoi pagesat për mbro-jtjen sociale të shtresave në nevojë, ku vetëm në njësitë 4 dhe 6 janë mbi 1 mijë persona me aftësi të kufizuar fizike e mendore që përfitojnë. Raporti i fundit i plotë që gjendet për problemin i takon vitit 2011, i cili konstaton problematikën e shëndetit mendor në vend.
“Numri i profesionistëve të shëndetit mendor në Shqipëri është shumë i ulët, krahasuar me numrin e tyre në shumicën e vendeve europiane. Në këtë kuadër, ndërsa në vend regjistrohen 3 mjekë psikiatër për 100,000 banorë, mesatarja europiane për të njëjtin numër banorësh është 9 mjekë psikiatër”, konstatohet në raportin e fondacionit “Shoqëria e Hapur”.
LEGJISLACIONI
Ngjarja makabre e Palasës, ku i sëmuri mendor Jorgo Zani masakroi një minoren 12-vjeçar, mund të ishte shmangur nëse institucioni që ka diagnostikuar autorin do të kishte zbatuar legjislacionin në fuqi për personat me probleme mendore. Kodi i Procedurës Civile nga neni 382 e në vazhdim dhe ligji për shëndetin mendor në nenin 9 parashikojnë heqjen e zotësisë për të vepruar të personave me probleme të shëndetit mendor. “TCH” shkruan se heqja e zotësisë bëhet nëpërmjet një kërkese civile në gjykatë nga institucionet që kanë konstatuar anomalitë e pacientit që ka probleme mendore dhe që nuk ka kujdestar. Këto ligje nuk janë thjesht të shkruara, por kanë gjetur zbatim në dhjetëra raste.
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Gert Hoxha, i kontaktuar në telefon nga “Top Channel” ka pranuar se dikasteri në fjalë ka dhënë dhjetëra vendime të izolimit në qendrat përkatëse shëndetësore të personave me probleme të shëndetit mendor dhe heqjen e zotësisë për të vepruar për këta shtetas.
Këto vendime, sipas Hoxhës, janë dhënë kur është konstatuar nga mjekët apo grupi i ekspertëve se personat paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore, edhe pse deri në atë moment ata mund të mos kenë kryer asnjë akt të dhunshëm.
Në këtë rast, interesi i sigurisë publike dominon mbi interesin dhe të drejtat e individit. Kjo masë, sipas Hoxhës, parandalon kryerjen e krimeve të rënda nga këta persona, të cilët nuk mund të bëhen subjekt i ligjit civil apo penal vetëm kur kryejnë akte në dëm të pronës apo njerëzve, por mund të bëhen edhe në raste të tilla parandaluese.