Superjahti “6711 GEO”, që u akostua sot paradite në portin e Durrësit i shtohet listës së 204 jahteve të tjerë që kanë mbërritur që nga fillimi i këtij viti në qytetin bregdetar.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se superjahti me gjatësi 62.24 m dhe me flamur të ishujve Marshall ka qëndruar në kalatën 5, ndërsa 4 jahte të tjerë janë ankoruar në kalatën 4, të destinuar vetëm për anijet turistike.

“6711 GEO”, i ndërtuar në një kantier hollandez pesë vjet më parë mbërriti nga ishulli i Korfuzit, ndërsa pas qëndrimit në Durrës pritet të lundrojë drejt Malit të Zi.

Që nga fillimi i muajit qershor kur nisi sezoni turistik, në kalatën 4 dhe në kalata të tjera të Terminalit Perëndimor janë bregëzuar 149 jahte turistikë nga vende të ndryshme të botës.

Porti më i madh i vendit është kthyer në një destinacion të kroçerave dhe jahteve turistikë të madhësive të ndryshme.