*Tragetet e linjave Ankona, Trieste dhe Ravena, vetëm 10 përqind të totalit  

Afro 645 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj kanë shfrytëzuar gjatë 9 muajve të parë të këtij viti tragetet e linjës Durrës – Bari dhe anasjelltas. Kjo shifër përbën afro 90 përqind të numrit të përgjithshëm të udhëtarëve që kanë preferuar tragetet nga/drejt Durrësit – bënë të ditur burimet e Sektorit të Statistikave në APD, sipas të cilave 10 përqind të tjerë kanë udhëtuar me linjat e Ankonës, Triestes dhe Ravenës.   

Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti tragetet që lundrojnë në linjën Durrës – Bari e kthim janë shfrytëzuar nga 364 mijë udhëtarë shqiptarë dhe mbi 191 mijë udhëtarë të huaj, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë udhëtarë të mitur. Numri i atyre që janë nisur nga Durrësi drejt Barit arrin në afro 339 mijë, ndërsa i atyre që vijnë drejt Durrësit është më i vogël, 306 mijë gjithsej.   

Ndërkaq nga Statistikat Portuale bëhet e ditur se me tragetet e linjës Durrës – Ankona e kthim kanë lundruar afro 85 mijë udhëtarë, me ato të Triestes vetëm 161 udhëtarë dhe ato të Ravenës 203 udhëtarë gjithsej.