Një çift pjeprash Yubari të kultivuar në ishullin verior japonez Hokkaido janë shitur për çmimin rekord prej 5,8 milionë jenësh, ekuivalente me rreth 31.400 euro, në ankandin e parë sezonal, duke kaluar rekordin e mëparshëm historik prej 5 milionë jenësh të vendosur në vitin 2019.

Sipas ekspertëve imobiliarë me këtë çmim mund të blesh një apartament të vogël ose garsoniere në periferi të qytetit.

Pjeprat e çmuar të varietetit “cantalupo”, krenaria e qytetit Yubari, u blenë nga Futami Seika, një kompani shumice frutash dhe perimesh me seli në Kushiro, raportojnë mediet lokale.

Frutat do të ekspozohen më pas në një nga supermarketet “Keio” të kompanisë në Tokyo deri të dielën.

Të famshëm për tulin e tyre portokalli, të lëngshëm dhe ëmbëlsinë intensive, pjeprat e Yubari vlerësohen shumë në Japoni si një dhuratë prestigjioze.

Sipas kooperativës bujqësore lokale, prodhuesit e zonës parashikojnë të dërgojnë këtë vit 3086 tonë pjepra me një vlerë prej rreth 2,12 miliardë jenësh, ndërsa kulmi i korrjes pritet midis muajve qershor dhe korrik.

Në Japoni, produktet e cilësisë së lartë arrijnë shpesh çmime jashtëzakonisht të larta në ankandet e para sezonale, pasi blerësit i përdorin këto blerje edhe për qëllime promovuese