SHBA, 15 shkurt 2013 – Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, përgëzoi sot popullin e Republikës së Kosovës me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë së vendit duke shprehur angazhimin amerikan për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe shumë-etnike. “Kosova,- thotë Sekretari Kerry,- është një vend mik dhe partner i Shteteve të Bashkuara”.

Përmes një deklarate të publikuar sot, sekretari Kerry vlerësoi ato që i cilësoi si arritje të rëndësishme për Kosovën, përfshirë përfundimin e pavarësisë së mbikqyrur, anwtarësimin në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim dhe përparimin që është shënuar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kreu i diplomacisë amerikane vlerësoi përkushtimin që kanë treguar udhëheqësit e Kosovës për ndërtimin e institucioneve më të forta dhe hapjen e mundësive ekonomike, forcimin e shtetit ligjor dhe integrimin europian. “Vazhdimi i punës në këto fusha,- thekson Sekretari i Shtetit John Kerry,- garanton stabilitet dhe begati afatgjatë për Kosovën”.