Kreu i Agjencisë së Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi ndaj tij është ngritur akuza dhe është marrë zyrtarisht i pandehur.

Zyrtari i lartë do njihet me verifikimin e masës së sigurisë, pasi SPAK ka kërkuar ‘detyrim paraqitje’ për kreun e prokurimeve publike.

Myzyri është pezulluar nga detyra me vendim gjykate, në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK për procedura të dyshuara të paligjshme në fushën e prokurimeve publike.

Jonaid Myzyri u mor i pandehur javën e kaluar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK, Myzyri dhe shtatë zyrtarë të tjerë kanë favorizuar gjatë një procedure prokurimi një bashkim operatorësh, që kanë depozituar dokumente të falsifikuara.

Sipas SPAK, objekti i këtij hetimi ka qenë procedura e prokurimit me emërtimin: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.8 milioë lekë pa tvsh, e zhvilluar më datë 18 shtator të vitit 2020 nga ana e Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH.