Në kërkim të vlerave të qytetarisë durrsake – Jovan Xoxe rilindte kur lindnin të tjerat

-Cilësitë e çmuara të një obstetër gjinekologu të rrallë

-Mirënjohja është borxhi që meriton vlera e tij

-Jeta e tij historia e materniteteve ku punoi

-Qytetaria durrsake, minierë floriri shpirtërore

-Të mburremi me Jovan Xoxen pasi është investimi ynë qytetar

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Nuk është thjesht, 10 vjetori i ndarjes nga jeta të Jovan Xoxes. Përvjetorë të tillë meritojnë vëmëndje dhe kujtesë, por jo shkak i plotë për të ngritur kështjellën e një materiali memorial. Kemi perla të historisë, së qytetit tonë të bukur dhe të dashur Durrësit. Perla si natyrë, por mbi të gjitha të bukurisë njerëzore, por edhe të kontureve dhe brendësisë profesionale. Ti zbulosh ata është meritë. Ti zbulosh dhe ti evidentosh në formatin e një materiali të plotë, është detyrim. Është nga ato lloj detyrimesh që provokon kujtesën e qytetarisë durrsake, e cila i heq kapelen dhe i përulet me shumë shpirt, bijve dhe bijave të saj. Dhe këtë po bën tani edhe një profesionist i vjetër i letrave, i cili e ka mëse të qartë misionin e tij. Përkushtimi është pak, për tiu detyruar figurave qendrore të qytetarisë durrsake, ku njëri prej tyre, është dhe mbetet pas as më të voglin ngurrim Jovan Xoxe.

Ky emër nuk matet thjesht me lindjen e tij në Durrës, me 24 dhjetor 1933. 87 vite të shkuara. As edhe thjesht me largimin e tij nga jeta, me 28 mars 2010. Formati jetësor është 77 vite të frymëmarrjes së një njeriu të shkëlqyer, të një mjeku të përkushtuar, ku falë pasionit dhe vullnetit, zgjodhi të ushtroj zanatin e obsteter gjinekologut. Nuk më nxiti absolutisht fakti, që ishte një mik i imi dhe jam i sigurtë edhe i qindra e mijra durrsakëve dhe më gjërë, për të shkruar rradhë për Jovan Xoxen. Është padiskutim rruga e vështirë, që e bëri të suksesshme ky djalë i paharruar i Durrësit, duke ngjitur shtigjet e pashkelura në zanatin e tij shumë delikat dhe me përgjegjësi, jetën e nënës dhe të fëmijës. Kjo ia rrit karatët e vlerave dhe suksesit Jovan Xoxes, këtij burri të pashëm e fisnik, këtij energjiku dhe të papërkuluri, ku sipas dijenisë që kam, i ka fituar 100 përqind sfidat me jetën, e atë të punës veçanërisht.

Jova Xoxe! Emër i madh i mjekesisë durrsake. Ai është në ëmbëlsinë e dheut të vendlindjes, por qendron para kësaj në mbretërinë e shpirtit të durrsakëve të tij, që sa pa mbajtur frymën, u shërbeu me një vetmohim të rrallë. Burra si Jovan Xoxe, meritojnë që të kryelartësohen me shkrime të tilla, pasi ne këryelartësojmë veten tonë, duke u veshur me krenarinë dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm.

Fola gjatë me të bijën Gertën. Një vajzë me shumë dashuri dhe mall për të jatin. Ajo flet çdo ditë me të. Kujtimet vijnë parreshtur, ashtu si në të gjallë të tij. Ajo qan kur kujton letrat e babait dërguar vajzave të saj Adës dhe Megit. Ai e dinte se çfarë kishte. Madje edhe kur do të mbyllte sytë përgjithnjë. Sëmundja e tmerrshme po e brente dita ditës. Dhe Jovan Xoxe shpejtonte, për të lënë kujtime që të çajnë shpirtin dhe të trondisin zemrën, kur në disa letra kanë mbetur edhe tani shenjat e lotëve të tij. Me shkrimin e veçantë dhe tërheqës, Jovan Xoxe kishte vendosur shpirtin e tij, duke mbuluar me dashuri dhe sentiment që të drithëron, të gjithë njerëzit më të dashur të jetës së tij, gruan e rrallë Luçianën, djemtë Romanon dhe Enklejdin dhe vajzën e vetme Gertën. Jovan Xoxe nuk mund të harronte dy vajzat e Gertës Adën dhe Megin, dy vajzat e djalit të madh Romanos Luçiana dhe Kristi dhe dy djemtë e Enklejdit Davidin dhe Andrew. Dashuria e gjyshit për nipërit dhe mbesat, çfaqej me një sentiment të rrallë, saqë për ti lexuar duhet të kesh zemër të fortë dhe emocione që të trondisin.

Jeta i një njeriu, varet nga vetë puna e tij, nga raportet që krijon me rrethin e ngushtë familjar, me kolegët dhe objektin e punës, me miqtë dhe shokët, me vetë qytetin dhe qytetarët e tij. Dhe Jovan Xoxe del i fituar ndaj të gjithë këtyre, duke u rezervuar një respekt dhe xhentilesë të pashembullt. Shumë i ri në zanat, ende pa filluar maloren e fortë të dijenive të tij në fushën e mjeksisë, shërben në Lezhë dhe Vaun e Dejës. Dhe këtu njohu bashkëudhëtaren e jetës, një zonjë të fisme, një grua të rrallë, shkodranen Luçiana Lisin. Dhe kthehet në vendlindje diku nga viti 1962. Vendi i tij i punës materniteti i Durrësit. Këtu nisin betejat e fituara të Jovan Xoxes. Na u desh jo pak kohë, për të bluajtur në mëndje titullin e shkrimit. Dhe fati na e dha shansin. Jovan Xoxe është dhe mbeti deri në fund, njeriu që rilindëte kur lindnin të tjerat.

Jo vetëm unë, por cilido që ka patur rastin është në gjëndje të tregojë, se sa ka punuar ky obsteter gjinekolog. Sa operacione të bëra, sa asistime, sa konsulta e vështirësi të tjera, që janë mburoja e krenarisë së punës dhe jetës së Jovan Xoxes. Për të ditur se si ka punuar Jovan Xoxe, fare lehtë mund të pyesësh kolegun e tij Skëndër Hykën dhe para se të largohej nga jeta edhe Ajaz Ajazin, por edhe Drita Bilalin, por edhe më të rinjtë Vangjush Jorgon dhe Arjan Prodanin. Mund të pyesësh edhe në maternitetin e Kavajës dhe atë të Shijakut, ku ngriti gjithçka nga e para. Dhe të gjithë këta janë në unison: Jovan Xoxe, njeriu i rrallë në zemrën e të cilit rrihte humanizmi për pacientet, që lidhej me detyrën parësore atë të mjekut obsteter gjinekolog.

-Kur vinte babai nga puna, tregon Gerta, ekonomiste e lartë, e kuptonim menjëherë ngarkesën që kishte kaluar. Bënte disa operacione në ditë. Ngjyra e fytyrës së tij ishte mavi, me sy të lodhur e fizik të dërrmuar. Ky ishte rrisku i punës së tij, punë që e përballoi me një profesionalizëm dhe përkushtim të veçantë.

Edhe në Mirditë ka qenë Jovan Xoxe, ashtu siç kurioziteti e lidh me pak humor edhe me sportin e boksit, sport që e ushtroi kur ishte student. Jovani i mrekullueshmi gjinekolog i maternitetit të Durrësit, pasi lodhjes së një dite pune të ngarkuar, ishte shumë aktiv në jetën shoqërore. Por sporti i shahut ishte pasioni tij i dytë, pas zanatit. Madje ai mësoi të luante si mjeshtre edhe vajzën Gertën dhe kalonin orë dhe ditë të tëra, duke përplasur “brirët” e fituesit.

I detyrohem Jovan Xoxes për jetën e gruas time. Eh sa jetë ka shpëtuar ky mjek i rrallë dhe shumë i aftë! Një tumor i rrezikshëm ishte çfaqur. Detyrimi miqësor ishte në mes patjetër. Por betimi Hipokratit, ishte para së gjithash. E kujtoj si tani, shqetësimin e tij të jashtëzakonshëm. Ndërhyrja e shpejtë kirurgjikale ishte e vetmja alternativë. Pas disa orësh betejë me të keqen, Jovan Xoxe më kthen në jetën normale Kostandinën. E kam fiksuar lodhjen e tij. Me shumë kurajo dhe besim tek aftësitë e tij, më tregon masën tumorike të hequr. I falem këtij mjeshtri të bisturisë, për jetën e gruas time. Po sa e sa gra, i falen këtij njeriu dhe burra si unë!?

Por nuk është jeta e gruas time, qëllimi i shkrimit. Pasi jetë të tilla në punën e tij Jovan Xoxe ka shpëtuar shumë, shumë. Qarja e fëmijës ngjasonte me lindjen e diellit, ku ngrohtësia i këtij disku, do të ngrohte e ndriçonte me mijra vatra familjare. Dhe i pari që i gëzohej qarjes së parë, ishte ky Jovan Xoxe që i uronte nënës së re, apo të disa fëmijve të ti rrojë vajza apo djali. Kemi qendruar shumë çaste të paharruara me këtë burrë e shok të rrallë. Kishte shumë kulturë. Lexonte shumë. Njihte disa gjuhë të huaja. Kur ecte rrugëve të Durrësit, kishte nur dhe lezet. Ishte shumë masovik. Një popull i tërë e përshëndeste mjekun dhe djalin e tyre. Dhe Jovan Xoxe ua kthente respektin, duke u përkulur deri në tokë. E donte Durrësin dhe durrsakët. Madje qante për to.

Jovan Xoxe ruante një marrdhënie të shkëlqyer me dhëndërrin Alqi Bebin dhe gratë e djemve. Madje Alqit i rezervonte një respekt të veçantë. Alqi Bebi shoku ynë i çmuar, një njeri më shumë se i mirë, pas drejtimit të shtëpisë së pushimit (Kovalishenca), u caktua me një projekti Tempus për arsimin e lartë, në bashkëpunim me komisionin europian. Dhe një sëmundje e papritur, na brengos duke ia sosur frymëmarrjen e fundit Alqi Bebit, këtu e gjashtë vite të shkuara. Humbja ishte aq e madhe dhe e rëndë, sa edhe në varr u trondit Jovan Xoxe. Zemra dhe shpirti i tij sikur u ngjall dhe u ngrit si një gjigand në imagjinatën tonë, për tiu ndodhur pranë së bijës për humbjen e bashkëshortit, pranë mbesave të tij Adës dhe Megit për humbjen e babait të tyre, duke derdhur lot një lloj si ata, duke i ngushëlluar ashtu siç dinte të bënte ai.

Ndodhet një bllok, ku Jovan Xoxe ka hedhur disa përshtypje nga jeta, veçanërisht në epilogun e saj. Ndjehet shumë i ligështuar kur doli në pension, pasi aftësitë e tij ishin shumë të veçanta për të shërbyer. Përvoja e tij ishte e vlefshme për punën. Dhe ndarja me të ishte shumë e dhimbshme. U përjetua në kufijtë e një ankthi, të një stresi që ia dëmtoi optimizmin. Sëmundja e pashërueshme që iu çfaq, ia ngarkoi psikologjinë, por jo kurajon. Ai e dinte se çfarë do ti ndodhte, por si një luftëtar në betejë, besoj deri në fund se mund ta fitonte atë. Shkoi në Milano tek djemtë. Edhe operohet atje. Kalon disa muaj në Zvicër, shtet që aq shumë i pëlqente mjekut dhe mikut tonë.

Të gjithë i qendronin afër, pasi e donin dhe e çmonin shumë. Nuk e besonte asnjë se për pak kohë do të ishte në gjirin e tyre, në gjirin tonë. Dhe do të vinte 28 marsi i vitit 2010, që mjeku i famshëm, obsteter gjinekologu i njohur, njeriu i urtë dhe i mënçur, burri zotni dhe i fisëm i Durrësit Jovan Xoxe, do të mbyllte sytë, për të na lënë atë kujtesë të çmuar, që e vendos në krenarinë tonë qytetare.

Jovan Xoxe nuk do të harrohet për atë çka i dha Durrësit, për punën e jashtëzakonshme që kreu me lindjet e foshnjave, duke gëzuar e gëzuar pa fund me qindra familje. Jovan Xoxe nuk do të harrohet, për prezencën aktive qytetare në Durrës, duke qenë mjeku i tyre i përkushtuar dhe djali i tyre i betuar.

Jovan Xoxe rilindte, kur lindnin të tjerat. Parajsa yte është zgjimi dhe kujtesa e jonë. Puna e jote do të çmohet dhe respektohet, duke kryer të gjithë ndaj teje, një detyrim qytetar të ndërgjegjësuar në kufijtë e mos-harresës.

Durrës: 25 korrik 2020