Ish-kreu i Hipotekës në Durrës, sot deputet i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja tha se ishte kërcënuar nga Alban Dabulla në momentin kur regjistroi hotel Vollgën në emër të Shullazit. Gjatë seancës gjyqësore për bandën e Shullazit, deputeti i PS pranoi se ishte takuar me Shullazin, i cili i kishte kërkuar t’i regjistronte pronën. “Unë do të zbatoj ligjin” kishte qenë përgjigja e Çyrbjes, që më pas e kishte regjistruar 30% të hotel Vollgës, siç i ishte kërkuar.

I pyetur nëse ishte kërcënuar ndonjëherë për regjistrimin e pronës, ai ka pohuar. Më pas ka qënë prokurorja e çështjes, e cila ka lexuar një pjesë të deklarimeve të Çyrbjas gjatë hetimeve paraprake.

Në dhjetor, sipas prokurores Elisabeta Imeraj, ish-kreu i hipotekës ka thënë se kishte marrë një mesazh kërcënues nga shtetasi, Alban Dabulla (djali i ish-deputetes socialiste Arta Dade). Përmbajtja e tekstit kishte tone kërcënuese pasi në të ishte shkruar se Çyrbja, nuk kishte bërë mirë që kishte regjistruar pronën në emër të Shullazit.

“Kontrollo në google për mua se kush jam. Shpatullat e tua nuk mund ta mbajnë kokën tënde”, shkruhej në mesazh.