Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, bëri thirrje për presion maksimal ndërkombëtar mbi Rusinë pas sulmit masiv ajror gjatë natës në Ukrainë që vrau 12 persona. Në një postim në rrjetin social X, Kallas shprehu indinjatën e saj të thellë ndaj dhunës së papërmbajtur që po vazhdon të godasë civilët ukrainas, përfshirë edhe fëmijët. Ajo theksoi se sulmet e natës së kaluar janë një dëshmi tjetër e qëllimit të Rusisë për të rritur vuajtjet dhe për të shkatërruar Ukrainën.
“Sulmet e natës së kaluar tregojnë edhe një herë se Rusia është e vendosur të rrisë vuajtjet dhe të shkatërrojë Ukrainën. Është e tmerrshme të shohësh fëmijë midis viktimave të pafajshme, të plagosur ose të vrarë. Ne kemi nevojë për presion maksimal ndërkombëtar mbi Rusinë për të ndaluar këtë luftë”, shkroi ajo.