Me përfundimin e javës së parë të Superiores, Federata Shqiptare e Futbollit, si organizatore e garës, ka përcaktuar kalendarin e raundit pasardhës, që sikurse në atë premierë do të shtrihet në tri ditë.Të premten, në orën 19:45, në “Elbasan Arena”, Dinamo do të presë Laçin me synimin për të krijuar që në start të sezonit një vazhdimësi rezultatesh pozitive. “Nëndetësja” befasoi në përballjen me Kastriotin, sfidë në të cilën tregoi shumë cilësi në organizimin e lojës.

Të shtunën do të luhen dy takimet e radhës: në orën 16:45, në Korçë, Skënderbeu do të presë Partizanin në një duel mes dy skuadrave humbëse në javën e parë, ndërsa në “Loro Boriçi”, në orën 19:45, pritet me shumë entuziazëm sfida mes Vllaznisë dhe Teutës.

Dy takimet e fundit të Abissnet Superiores do të zhvillohen të dielën: në orën 13:45, në “Selman Stermasi”, Tirana do të sfidojë debutuesit e Egnatias, që e nisën me humbje ndaj Kukësit sezonin, ndërsa ndeshja përmbyllëse e javës së dytë është ajo e “Elbasan Arenës” mes Kukësit dhe Kastriotit, e programuar për të nisur në orën 19:45.

Java 2

E premte

Dinamo-Laçi (19:45)

E shtunë

Skënderbeu-Partizani (16:45)

Vllaznia-Teuta (19:45)

E diel

Tirana-Egnatia (13:45)

Kukësi-Kastrioti (19:45)