Bukuria natyrore që e karakterizon këtë zonë e bën atë mjaft tërheqëse për sytë e turistëve dhe pushuesve, por infrastruktura rrugore mjaft e keqe e kthen në një aventurë të lodhshme udhëtimin deri atje. Një nga plazhet e vetme në Durrës, që deri tani i ka shpëtuar betonimit është ende i panjohur për qytetarët durrsakë. Pushteti lokal ka hartuar një plan që parashikon investime private për zhvillimin e turizmit elitar

 

Megjithëse është e vështirë të mbërrish deri atje, lokalet e improvizuara po përgatiten të presin pushuesit e kësaj vere. Bëhet fjalë për ndërtime me dru, që realizohen nga pronarët e këtyre trojeve, por që nuk janë të pajisura me leje nga bashkia. Shpyllëzimi dhe fenomeni i erozionit janë dy nga problematikat kryesore që u duhet dhënë zgjidhje

Diku atje tej, pas Currilave, në veri të qytetit të Durrësit, pas një rruge të    ngushtë e të pashtruar, fshihet një prej rivierave më të bukura të Shqipërisë. Rruga gjarpëron poshtë një pylli me pisha që për çdo qytetar apo turist fsheh jo pak mister, jo pak  kuriozitet, teksa të gjitha makinat si destinacion të fundit kanë zonën e asfaltuar. Jo pak sy e mendje,    mundohen të shuajnë kuriozitetin, se çfarë fshihet pas asaj kodre me pallate e ndërtime në Currila, ndërsa pak syresh kanë marrë guximin të ngjisin rrugën e pluhurosur, të kësaj lagjeje për të vijuar më tej, drejt asaj rruge gjarpëroshe që zgjatet për disa kilometra, ku rëra e bardhë dhe zona krejt e virgjër puthen me bregun e detit, në një hijeshi marramendëse, ndërsa lart shtrihen kreshpat e kodrave të gjelbëruara. Por çfarë thesaresh fshihen pas kodrës, pas asaj panorame nga pjesa fundore e plazhit të Gjermanit?

Për të shuar këtë kuriozitet, duhet jo pak të sakrifikosh, duhet të përshkosh me makinë disa kilometra rrugë të pa asfaltuar, përmes një natyre përrallore të paprekur nga gomat e rënda të betoniereve zhurmuese. Nëpër një zhgulm pluhuri që lë pas makina, pas ish-repartit ushtarak, shfaqet një panoramë e rrallë, magjepsëse për syrin e qytetarëve, ndërsa mbushesh me frymë me ajrin plot aroma lulesh. Pranvera i ka dhënë hijeshi zonës, gjithçka ka lulëzuar nëpër kodra. Ka mbetur pas qyteti, rruga e asfaltuar, zhurma, ndërtimet e larta të përziera me kioska të shëmtuara, ka mbetur pas jeta urbane e një qyteti gati metropolitan. Ajo çfarë sheh para syve është një xhevahir i fshehur qetësie. Kodrat e Kallmit janë një pasuri e madhe, e jashtëzakonshme, që natyra me bujari të madhe i ka falur qytetit të Durrësit. Çdokush që merr për herë të parë rrugën drejt atyre plazheve të virgjër, të bukur, madhështorë, si kreshpat e kodrave që gjelbërojnë deri në maja, padyshim duhet të marrë një makinë katër herë katër, ose për një piknik fundjavave duhet të veshë atlete dhe me vete të mos ketë fëmijë. Kjo për shkak të rrugës.

Përshtypjet e vizitorëve

Aty, sapo mbërrin në vendin ku më parë gjendej ish-reparti ushtarak, një numër i madh studentësh dhe profesorësh kanë gjallëruar të gjithë zonën. Ata janë shpërndarë duke soditur madhështinë e bukurisë natyrore të këtij vendi, ndërsa, pak minuta më vonë, mblidhen rreth profesorëve të tyre dhe me lapsat në dorë mbajnë shënime. Janë studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës në një ditë të zakonshme mësimore. Studentët janë të mrekulluar nga natyra, ashtu si edhe profesorët e tyre, të cilët pas dy kilometrash në këmbë dhe nën rrezet e diellit kërkojnë të kthehen mbrapsht, në mungesë të lokaleve apo ujit të pijshëm. Por çfarë impresionesh kanë marrë ndërsa për herë të parë gjenden në zonën e Kallmit?

Profesori i Fakultetit të Gjeologjisë në Universitetin Politeknik të Tiranës, Vesel Hoxha, me të cilin u takuam gjatë udhëtimit tonë na tha se,- 

“Kallmi ka një peisazh fantastik. Për zhvillimin e turizmit në këtë zonë, mungesa e infrastrukturës është një pengesë serioze. Me një investim shumë të vogël, për rikonstruksionin e rrugës, kjo do të bëhej një zonë e vizitueshme nga turistët”. Po pavarësisht faktit se e ka pëlqyer si një zonë e virgjër me peisazh natyror mjaft të bukur, prof. Hoxha shprehet se nuk do të vinte për të kaluar pushimet, pasi ka shumë pluhur dhe infrastruktura rrugore lë mjaft për të dëshiruar. 

Ndërkohë kolegu i tij prof. Nezir Mekshiqi na përmend disa nga problemet gjeologjike që konstatohen në Kallm e që mund të përbëjnë problematika serioze për të ardhmen. “Ndërhyrjet e njeriut, që janë bërë në shpatet e kodrave, janë katastrofike. Është vërtet problematike, situata e krijuar nga ndërhyrjet e bëra në drejtim të shpyllëzimit. Erozioni është zhvilluar mjaft. Prerja e pemëve dhe djegia e tyre kanë krijuar këtë situatë të rëndë. Të gjitha këto përbëjnë rrezik, sepse ky është një ekosistem. Ata që do të jetojnë këtu do të përballen me këto probleme. Duhen marrë masa urgjente për gjelbërimin dhe parandalimin e shkarjes së dherave”. Bukurinë natyrore të kësaj zone, që i ka lënë përshtypje të thellë e përmend edhe njëri nga studentët. “Deti është i mrekullueshëm. Natyra po. Problemi është infrastruktura. Por më mirë të mbetet kështu, sepse ndryshe këtu do të fillonte punë betonierja, do t’i shkatërronin të gjitha siç është bërë gjithë tek plazhi i madh. Megjithatë unë nuk do të vija këtu për pushime, sepse nuk ka rrugë, është krejtësisht e pamundur ”,- thotë ai.

Në zbulim të Kallmit

Kemi lënë pas studentët dhe profesorët e tyre dhe rruga vijon për poshtë, ndërsa nuk mungojnë edhe lokalet e parë që po përgatiten për të pritur pushuesit e kësaj vere që po troket. Ata pushues që vijnë deri këtu janë guximtarë, pasi sfidojnë rrugën e pashtruar e me gropa të mëdha. Pemët këtu janë të rralla. Zjarret e njëpasnjëshëm, të rënë gjatë stinës së verës, pothuajse i kanë zhveshur kodrat nga ullinjtë e mbjellë disa dekada më parë.

Na shoqërojnë lehjet e disa qenve dhe një bari, i cili ka nxjerrë në kullotë tufën e tij të deleve dhe të qingjave, të vetmit që lëvizin në këtë hapësirë të gjelbër, në një lartësi ndoshta mbi 200 metra nga deti, Këtu rruga kalon nëpër ca shkurre erëmira. Edhe bariu është i lumtur teksa grigja e tij ka gjetur ushqim të bollshëm e hije për të veruar e pushuar në pikun e vapës.

Diku më tutje, udhëtimi vijon duke ngjitur një rrugë të thepisur, më këmbë, ndërsa poshtë deti është i pastër si kristali. Ka mbërritur dora e njeriut. Dy lokale pranë e pranë kanë hapur dyert, ndërsa një tjetër po ndërtohet, krejtësisht në dru. Punëtorët vijojnë punën e kur i përshëndet me një “puna e mbarë” janë më se të kënaqur.

Disa qindra metra më larg, udhëtimi ynë vijon duke u ngjitur edhe më, ndërsa një lokal tepër luksoz është hapur. Është inaguruar vetëm disa ditë më parë, ndërsa jashtë janë vendosur çadra dhe shezlonë që presin për t’u hapur. Vetëm pak lokale, të pa vënë ende në funksion, shtrihen përgjatë rrugës prej disa kilometrash. Ato janë ndërtime pa leje, por të ndërtuara nga pronarët e trojeve. E gjithë zona i është rikthyer ish-pronarëve. Në bashkinë e Durrësit bëjnë me dije se e gjithë kjo sipërfaqe u është rikthyer familjeve të vjetra durrsake, të cilat, pas viteve ‘90, i kanë rifituar pronat e tyre, por nuk mund të investojnë në mungesë të një plani rregullues. Janë familjet e mëdha si Kapedani, Rexha, Kthupi, Kalamishi, Vogli, etj. që kanë pronat e tyre disa dynymëshe në Kallm. 

Kallmi, ende i panjohur

Në ndryshim nga plazhi i madh apo ai i Currilave, Kallmi përbëhet nga gjire të vegjël detarë me plazhe shkëmbore. Ky është ndër të paktat vende përgjatë vijës bregdetare të Durrësit, që të kujton plazhet e rivierës joniane. Gjiret e vegjël dhe gjelbërimi që fillon menjëherë pas tyre i joshin mjaft pushuesit. Rruga e pashtruar dhe mungesa e informacionit ka mbajtur larg plazhistët dhe ndërtuesit, duke shërbyer si një mburojë e mirë për ruajtjen e kësaj zone ende të virgjër.

Kallmi ka mbetur një territor krejtësisht i bllokuar ushtarakisht gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX. Diktatura komuniste, pasi shtetëzoi pronat private dhe i mbolli me ullinj kodrat me lartësi deri në 300 metra, në vitet 1970 e militarizoi plotësisht zonën me bunkerë dhe mini reparte armësh të  artilerisë bregdetare deri te kundërajrorët. Kallmi ka nisur të rizbulohet pas viteve 2000, kur magazinat dhe tunelet ushtarake u zbrazën nga armët dhe eksplozivët e rrezikshëm.
 


Dako: Duam ta ruajmë Kallmin nga betonizimi

I pyetur për kthimin e kësaj zone me potenciale të mëdha turistike në funksion të turizmit, kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, shprehet se aktualisht nuk ka asnjë shpresë. Turizmi gjeneron të ardhura të mëdha për qytetin, por Kallmi për një kohë të gjatë dhe ende të papërcaktuar do të vijojë të mbetet i tillë, i pashfrytëzuar, i fshehur në veri të Durrësit. Kryetari i bashkisë shprehet se nuk ka asnjë fond të akorduar për ndërtimin e rrugës, e njëkohësisht po mendohet që kjo zonë të lihet kështu edhe për disa kohë, me qëllim mbrojtjen nga betonizimi. “Vija e Kaltër është projekti madhor i hartuar tashmë, por që nuk mund të zbatohet për koston e madhe që ka e për më tepër që mjaft presione i janë bërë bashkisë për të ndërtuar pallate atje, por që deri tani, i kemi ndaluar me të gjitha mënyrat e mundshme”,- thotë Dako. Në të njëjtën kohë kryetari i bashkisë nënvizon faktin se investimet qoftë në infrastrukturën rrugore apo përsa i përket ndërtimeve turistike duhet të realizohen nga privatët, pasi e gjithë kjo hapësirë i është rikthyer ish-pronarëve të dikurshëm.

Zoti Dako, plazhi i Kallmit është riviera e bregdetit durrsak. Të udhëtosh përgjatë këtyre gjireve është krejtësisht e pamundur. A do të ndërtohet rruga, për tu zhvilluar turizmi edhe në këtë zonë?

Momentalisht nuk kemi projekt për ndërtimin e atij segmenti rrugor. Ju e dini që ne vitin e kaluar kemi prezantuar projektin “Vija e Kaltër” për gjithë vijën bregdetare të kësaj zone dhe në këtë projekt ne kemi parashikuar që atje do të ketë resorte turistike dhe rezidenciale, me densitet shumë të ulët. Momentalisht nuk kemi akoma baza ligjore, sepse nuk e kemi aprovuar këtë studim, dhe do ta ruajmë Kallmin si një zonë të virgjër. Pasi të sigurojmë kapacitetet finanziare, do të ndërhyjmë për të bërë rrugën dhe për të zbatuar këtë projekt madhështor.

Ku konsiston ky projekt?

Është kompleks për të gjithë zonën.  Projekti parashikon një port funksional me destinacion kryesisht turizmin, me zona pushimi,  rezidenca, rrugë, parqe, hapësira publike me hapësira për aktivitete kulturore dhe zhvillimin e eventeve të ndryshme. Së bashku me studiuesit, por edhe në planin rregullues të qytetit, është vendosur që rruga të ndërtohet lart në kodër dhe jo gjatë vijës bregdetare. Ne shpresojmë që projekti të nisë në vitet e ardhshme dhe të jetë iniciativë private, për vetë faktin se edhe trojet janë private. Investimet duhet t’i bëjnë privatët. Ne jemi duke e ruajtur si një zonë të virgjër dhe të paprekshme, për t’i dhënë mundësi që të zhvillohet, sipas këtij projekti me plan dhe studim urbanistik të miratuar. Ky studim që kemi prezantuar një vit më parë, parashikon  plazhe të reja duke marrë sipërfaqe nga deti dhe në zona të caktuara do të ketë zhvillim të turizmit elitar. Kjo do të aplikohet për herë të parë jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë Shqipërinë. 

Nga rrugëtimi ynë në atë zonë kemi vërejtur se po ndërtohen disa lokale buzë detit, kryesisht për plazhistët, ndërkohë që në bashki kemi mësuar se janë pa leje ndërtimi, qoftë edhe provizore.

Janë disa ndërtime që po bëhen në formën e plazheve private që janë kryer dhe kryhen nga pronarët e këtyre trojeve. Ne ndërhymë dhe i prishëm në muajin shtator të vitit të shkuar, por sërish këtë verë kanë nisur të ndërtohen përsëri. Janë ndërtime që bëhen me dru dhe i shërbejnë asaj zone të virgjër për një shërbim plazhi rreth 60 ditë.

Pse është vonuar zbatimi i projekteve ndërkohë që zona e Kallmit është një burim i madh me potenciale turistike të jashtëzakonshme, por të pashfrytëzuara?

Unë si kryebashkiak që vitin e parë që nisa të drejtoj bashkinë e Durrësit, nisa përgatitjen e studimit, i cili zgjati disa vjet. Studimi është frut i një bashkëpunimi mjaft të ngushtë mes bashkisë së Durrësit, studios ndërkombëtare “SPHAERA”/SIGNES PAYSAGES” dhe arkitektëve francez Alain Cousseran dhe Sibila Jaksic. Ky studim ka si qëllim që ta mbrojë dhe ta ruajë këtë zonë të virgjër. Do të jenë investitorët që do t’i japin zhvillim kësaj zone në bazë të studimeve, por kjo do të zbatohet  vitet e ardhshme, sepse edhe investitorët e kanë të pamundur të zbatojnë një projekt të madh siç është “Vija e Kaltër”. 

Pse thoni nuk mund të zbatohet aktualisht?

Sepse  investitorët sot ndërtojnë pallate dhe ndërtimi i pallateve prish të gjithë projektin. Aty është parashikuar ndërtimi i komplekseve turistike, i vilave, me densitet të ulët, por që kanë vlerë shumë të mëdha, rreth 500 mjë euro. Pronarët e tokave duan të ndërtojnë pallate, por kjo është e pamundur. Nuk do të na e falin brezat e ardhshëm po të masakrohet nga ndërtimet edhe kjo zonë.


 

Onuzi: Turistët e përshkojnë Kallmin në këmbë

Kujtim Onuzi, kryetar i shoqatës së alpinistëve, një nga njohësit e mirë të këtij bregdeti, shprehet se zona paraqet interes të madh për turistët e huaj. Ai ka shoqëruar shpesh grupe me turistë gjermanë apo austriakë, që i kanë përshkuar këto brigje e kodra në këmbë apo me biçikletë. Bukuria e virgjër që ofron ky bregdet dhe dukuritë interesante gjeologjike e bëjnë atë mjaft të preferueshme për ata turistë, të apasionuar pas aventurave dhe vendeve të panjohura.

 

Kallmi është një perlat e Adriatikut dhe aktualisht është i pashfrytëzueshëm nga turistët. A ka studime për këtë zonë?

Në Kallm ka studime të kufizuara në lidhje me potencialin turistik të zonës. Natyra është e mrekullueshme prandaj duhet të operohet me plan, pasi dhe në këtë zonë kanë filluar të hedhin inerte dhe të prishin mjedisin rrethues. Është zonë e pakontrolluar, hedhin mbeturina. Me pak infrastrukturë kjo zonë e bukur turistike dhe me potenciale të mëdha do të bëhej e shfrytëzueshme. Duhet të lidhet rruga me Bishtin e Pallës. Disa kanë ndërtuar shumë bukur, por është shumë pak.

Një vit më parë kanë mbërritur për turizëm në këtë zonë edhe turistë gjermanë. Si është bërë e mundur kjo?

Në këtë zonë, krahas peisazhit të mrekullueshëm ekzistojnë dukuri gjeologjike interesante dhe kjo ishte arsyeja që kanë ardhur turistë gjermanë, austriakë etj. për ta eksploruar. Në një hartë që kemi bërë për zonën Tiranë-Durrës-Krujë, të gjithë këtë hapësirë e kemi përshkruar në hartë, që turistët të vijnë dhe ta vizitojnë me biçikleta.

Çfarë duhet bërë që kjo zonë të jetë e shfrytëzueshme për turistët?

Këtë zonë të mrekullueshme detare e kodrinore ne kuadër të nxitjes së turizmit malor, kodrinor dhe detar e kemi përfshirë në hartën e potencialeve të turizmit malor që përfshin zonën Tiranë-Dajt-Ndroq-Durrës-Kallm-Kepi i Rodonit-Ishëm-Krujë-Bovillë. Këtu kalon turi me këmbë që fillon në kalanë e Durrësit e vijon në rrëzë të kodrave të Currilave, buzë detit dhe përfundon në Bishtin e Pallës. Nga këtu vazhdon më tej në peisazhin detaro-kënetor deri në Kepin e Rodonit. Ky tur me këmbë bashkërendohet dhe me lëvizjen me biçikleta.