Firma “Kevin Konstruksion” ka arritur vetëm në katin e dytë të godinës së parë të kompleksit të ri universitar në periferi të qytetit. Edhe në vitin e ardhshëm akademik studim “me dy turne” në sallat e shkollave të mesme. “Kjo do të zgjidhë problemin emergjent, por jo atë përfundimtar”, pranon rektori Mema

Mungesa e ambienteve në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit nuk mund të zgjidhet vetëm me ndërtimin e njërës prej godinave të kampusit të ardhshëm. Në muajin nëntor të vitit të kaluar mori jetë ëndrra e tetë mijë studentëve të këtij universiteti për ngritjen e kampusit universitar, që pritet të plotësojë të gjitha pritshmëritë e studentëve, jo vetëm për godina fakultetesh dhe auditore, por dhe për ambientet e tjera të shërbimit si konvikt, bibliotekë, qendër studentore, hapësira për argëtim, terrene sportive etj. Qeveria Berisha ka akorduar një fond prej 480 milion lekësh për ndërtimin e godinës së parë, e cila është ngritur deri në katin e dytë.

Spitallë, 2012

Kampusi universitar është projektuar të ndërtohet në zonën e Spitallës. Ndërsa nisemi për të shkuar atje, pas disa km rrugë mbërrijmë në kantierin e ndërtimit i ngritur në mes të një fushe djerrë. Qetësinë e madhe që karakterizon gjithë zonën e prishin vetëm zërat e punëtorëve të cilët po hedhin beton.

Kampusi do të ngrihet në një sipërfaqe shumë të madhe toke, në një trekëndësh midis Vrinës, Spitallës dhe Shënvlashit. Të tre zonat ndahen nga autostrada, që përfundon në parkun energjitik të Porto Romanos. Gjithandej fusha është bosh, djerrë e moçalishte. Ndërtimet pa leje që pas viteve ’90 lulëzuan në të gjithë qytetin dhe rrethinat e Durrësit nuk kanë mbërritur deri aty. Ndërsa sheh këtë fushë, që duket si e braktisur, duket e pabesueshme që brenda një kohe të shkurtër kjo fushë djerrë do të mbajë mbi shpinë një kompleks universitar, ku do të edukohen breza të tërë të rinjsh.

Ndërtimi i kampusit është një sipërmarrje shumë e madhe e për pasojë kërkon shumë financime që nuk mund të realizohen nga universiteti. Të ardhurat e këtij institucioni gjatë një viti akademik arrijnë në rreth 150 milionë lekë. Tarifa e shkollimit është 15 mijë lekë në vit e për pasojë, të pakta janë të ardhurat të cilat janë investuar në projektet më të rëndësishme për nisjen e vitit të ri akademik.

Në këto 6 vjet ekzistencë, universiteti ka rritur ndjeshëm numrin e studentëve që ndjekin studimet aty. Për këtë arsye, mungesa e ambienteve është problematika kryesore me të cilën përballen studentët dhe stafi akademik e ai administrativ. Rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve nga viti në vit, nuk është pasqyruar në shtimin dhe zgjerimin e  ambienteve.

Problemi është i vjetër dhe nis që në vitin e parë të funksionimit të këtij universiteti, atëherë kur ai u hap në godinën që ishte planifikuar për sistemin arsimor 9-vjeçar. Edhe këtë vit akademik, studentët i zhvillojnë pasdite orët e leksioneve, në 4 shkolla të mesme të qytetit. Universiteti numëron gjatë vitit akademik 2011-2012 rreth 8.500 studentë, të ndarë në 44 programe studimi. Ndërkohë problem tjetër që shqetëson studentët, veçanërisht ata të rretheve, është mungesa e konvikteve. Akomodimi i studentëve në Durrës është parë në dy këndvështrime.

Nga njëra anë, studentët dëshirojnë që universiteti t’u sigurojë një banesë qoftë edhe me kushtet minimale për t’u strehuar, ndërsa këndvështrimi tjetër ndalet në veçoritë që ka qyteti i Durrësit, i cili ofron shumë mundësi për strehim në këtë stinë. Në zonën e plazhit qiratë e shtëpive janë relativisht të ulëta, përjashtuar periudhën e pushimeve verore. Aktualisht e vetmja mundësi është që kapacitetet e shtëpive me qira ta zgjidhin këtë problem të mbartur.

Projekti i kampusit universitar

Kampusi është parashikuar të ndërtohet në një sipërfaqe prej 48.300 m2, ndërkohë që sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 11.470 m2. Korpusi i ri do të ketë godina për fakultetet dhe ndërtesa të veçanta për konviktet,  komplekse shërbimesh arsimore, bibliotekë, librari, park, terrene sportive etj., të cilat janë parashikuar të ndërtohen brenda sipërfaqes së mësipërme. Sipas projektuesve vetëm rrugët e brendshme do të zënë 13.877 m2, kurse sipërfaqja e gjelbëruar do të jetë 20.740 m2.

Projekti për kampusi universitar të Durrësit po vihet në zbatim gjashtë vjet pas hapjes së UAMD-së, i cili tre vjet më parë përuroi edhe një filial në Peshkopi. Me ritmin e lartë të kërkesave për të studiuar në këtë universitet, brenda pak vitesh numri i studentëve pritet të dyfishohet. Aktualisht rreth 70% e studentëve që ulen në auditore vijnë nga rrethet, ndërsa 30% janë nga Durrësi apo rrethinat e tij.

Rektorati

Rektori i Universitetit, Mit’hat Mema, thotë për gazetën “Dyrrah” se godina e parë është guri i themelit për ndërtimin e kampusit universitar. Në projektin e kampusit është parashikuar që aty të studiojnë 15 mijë studentë. Tetë godina janë parashikuar për fakultetet dhe 6 godina për bibliotekë, laboratorë e ambiente ndihmëse, përveç dy godinave të Rektoratit dhe Bibliotekës, të projektuara në harmoni me njëra tjetrën.

Por edhe rektori është i ndërgjegjshëm se ky projekt nuk mund të vihet në zbatim në një kohë të shkurtër. Ai thotë se konstatohet dëshira e mirë nga ana e qeverisë për të zhvilluar infrastrukturën në Kampusin universitar dhe kjo është thelbësore. Në godinën e parë ku u financua 480 milionë lekë, 10% u financuan nga të ardhurat e universitetit.

Por kjo godinë e re zgjidh vetëm nevojat urgjente të UAMD, që janë studentët e fakultetit të Edukimit, që zhvillojnë mësim pasdite në shkollat e mesme të qytetit, në Durrës e Shkozet. Sipas Memës, kompania fituese e tenderit po punon me ritme të larta. “Brenda vitit pritet të përfundojë godina, e cila me kontratë parashikohet të hapet në muajin mars të vitit të ardhshëm. Kjo do të zgjidhë problemin emergjent, por jo problemin përfundimtar”. Por ne konstatuam në terren se godina është vetëm në katin e dytë dhe duket tepër e vështirë që për periudhën e mbetur të realizohen punime cilësore.

Ndërtimi i një godine universitare është një vepër arti dhe kërkon standarde e cilësi të lartë që duhet të kryhen nga kompani të specializuara.

Ndërtimi i kampusit do të kërkojë minimalisht katër deri në pesë vjet. Në këtë pike, numri një i Universitetit, thotë se financimi nuk mund të përballohet me fonde të qeverisë Shqiptare dhe të Universitetit. “Ne jemi duke parë hapësirat ligjore për t’ju drejtuar formave të tjera të financimit. Nuk përbën sekret të them që buxheti ndahet nëpërmjet Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, gjë që na ka bërë të rishikojmë burime të tjera për ndërtimin e kampusit universitar, p.sh. donatorë të huaj apo përdorimin e mekanizmave të tjerë financiarë siç është marrja e kredive nga bankat e nivelit të dytë apo bankat e huaja”,- thotë Mema.

Ky është një proces juridik i komplikuar, i cili nuk është aplikuar deri tani në asnjë nga universitet publike në Shqipëri. “Ne do të përpiqemi ta eksplorojmë këtë formë financimi në mënyrë që të kemi aksese më të shpejta për të ecur përpara me ndërtimin e kampusit Universitar. Ne jemi në fazën kur kemi bërë projektin edhe për një godinë tjetër që e kemi dërguar për miratim në MASH dhe në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve, i cili do të mblidhet brenda muajit maj. Shpresojmë të gjejmë mbështetje dhe financime për godinën e dytë. Ne do të përballemi me sfidën e financimeve dhe nuk do të presim investime vetëm nga qeveria për infrastrukturën e këtij kampusi”,- përfundon Mema.

Godina e parë hapet brenda vitit

Godina e parë, do të vihet direkt në dispozicion të studentëve po këtë vit, duke e zgjidhur një herë e përgjithmonë problemin e mungesës së auditorëve që ka fakulteti i Edukimit. Puna nga ana e firmës ndërtuese, “Kevin Konstruksion” është fokusuar në ngritjen e godinës, e cila ka arritur në katin e dytë dhe punimet vijojnë për katet e tjera.

Godina e parë do të shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se tre mijë m2, ndërsa pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Sipas Memës, me ndërtimin e korpusit, zona përreth do të marrë zhvillim tepër të madh, por duhet edhe vëmendja e pushtetit lokal. “Ne i kemi kërkuar bashkisë që të shtojë një linjë urbane. Korpusi nga qendra e qytetit ka një distancë prej 5 km dhe shtrirja e një linje të re është më se e domosdoshme”,-deklaron Mema.

Për vendin se ku do të ndërtohej korpusi i ri ka pasur disa ide, si: në ShënVlash, në mjediset e kompleksit të shkollave të mesme poshtë stadiumit “Niko Dovana” apo tek ish-Vollga, por u pa më e favorshme që të ndërtohet pikërisht në vendin ku tashmë puna vijon me ndërtimin e godinës së parë.

ISH-KINOKLUBI

Dështon projekti për mbivendosje pronash

Një prej godinave në zemër të qytetit bregdetar, ish-kinoklubi i portit të Durrësit, përballë Torrës Veneciane, i kaloi në pronësi Universitetit, për t’u adaptuar në Fakultetin e Menaxhim-biznesit, dy vjet pasi ky i fundit ishte krijuar, madje për këtë godinë Ministria e Arsimit akordoi një fond prej 30 milion lekësh të reja për rikonstruksionin e saj.

Duket se menjëherë pas kalimit të pronësisë tek universiteti i Durrësit nisi konflikti se cili do të jetë pronari i këtij trualli në qendër të qytetit bregdetar, në një prej zonave më të lakmuara.

Disa familje pretenduan pronësinë e tokës në këtë vend, ndërkohë që rezulton se për të njëjtën sipërfaqe toke janë dhënë disa pronësi nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke krijuar kështu një mbivendosje pronash. Për pasojë, procesi i kalimit në pronësi të universitetit u bllokua, gjë që shkaktoi djegien e fondit të akorduar nga Ministria e Arsimit.

Kjo godinë ka një arkitekturë të veçantë dhe është ndërtuar nga italianët në stilin arkitekturor të paraluftës. Deri në vitet ‘90 godina shërbente për zhvillimin e aktiviteteve kulturore për punonjësit e portit detar të Durrësit.