Kapiteni Blerim Kotobelli ka premtuar se Teuta do të rikthehet sezonin e ardhshëm edhe më e fortë, pasi këtë sezon ajo nuk arriti të fitonte asgjë, por as Europën s’e arriti dot. Kotobelli shprehet se ky ishte një sezon për t’u harruar dhe tashmë synimet janë për të ringritur dhe të arrijnë sërish te trofetë.

Si do ta komentonit sezonin që sapo u mbyll?

Ishte një sezon i vështirë. Të gjithë kundërshtarët ishin të fortë, por sezoni ynë ishte disi i paftë, si në kampionati ashtu edhe në Kupë. Gjatë këtij, sezoni bëmë disa gabime në ndeshje specifike, por ajo që nuk i mungojë Teutës është edhe në ADNnë e saj është sakrifica dhe urtësia. Ne nuk jemi kryeneçë. Sezonin e ri do të kërkojmë të rikthehemi fuqishëm.

Çfarë duhet të presim nga Teuta në sezonin e ri?

Besoj se do jenë ndeshjet e kampionatit që do të tregojnë nëse kjo Teutë është më e fortë se ajo e vitit të kaluar. Duhet të kemi parasysh se ekipi është pothuajse i njëjti. Besoj që dhe me afrimet e rinj gjithashtu do jemi më të fortë.

Si ishte ky sezon në aspektin personal?

Besoj që ka qenë sezoni i mirë për mua, por tanimë me një ecuri të mirë rikuperuese për sezonin e ri do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim. Viti i kaluar ishte i miri, përfundimisht sezoni im më i qëndrueshëm, tani shpresoj që sezoni i ri të jetë viti im. Do të jap më të mirën. Nëse jam i gatshëm për çdo ndeshje, jam 100 për qind i sigurt se do të jap më të mirën dhe do t’ia dal mirë për ekipin tim. Gjithmonë punoj fuqishëm për të arritur sukses dhe për të ndihmuar ekipin të fitoj.

Çfarë note do i vendosnit Teutës në sezonin që sapo u mbyll?

Nota për Teutën, është 8. Nisëm një sezon shumë të dobët, por bëmë një mbyllje ta jashtëzakonshme, ku asnjëri nuk besonte që ne mund të arrinim edhe kupat e Europës. Ato pikë të lëna disa javë më parë na hoqi atë mundësi për të kapur atë objektiv.

Çfarë u premtoni tifozëve durrsakë?

Nuk jam një lojtar që bëj premtime para kohe. Premtimi im i vetëm është që do të jap më të mirën, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Të tjerat do t’ia lë fushës dhe uroj të më vlerësojnë të tjerët për atë çfarë do jap.