Seanca në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve për shkeljet e gjetura në procesin zgjedhor të qarkut Gjirokastër është shtyrë për të enjten në orën 16:00. PD kërkon pavlefshmëri dhe rinumërim nëpërmjet përsëritjes së zgjedhjeve në qarkun e gjirokastrës.
Përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri, këmbënguli që t’i vihej në dispozicion edhe tabela për fletët e papërdorura, teksa relatori Koli Bele theksoi se ka edhe limite njerëzore rreth çështjeve të ngjashme, ku intensiteti i punës është i lartë, por kjo nuk nënkupton se ka parregullsi zgjedhore që kanë ndryshuar rezultatin.
“Mund të na dalin si ato të kutisë së Vlorës, ku u pretendua për fletët pa vulë dhe dolën të gjitha të vulosura. Për Gjirokastrën janë një numër i vogël fletësh, gjithsesi presim të vijë përgjigja për kërkesën tuaj dhe ta shqyrtojmë”, tha relatori.
Pasi mbërritën të dhënat për 11 fletë në dy qendra votimi, relatori Koli Bele theksoi se do merrnin edhe dy ditë kohë për shqyrtimin.
“Eksperimenti që do bëjmë edhe nesër për kutitë e Vlorës (hapja e 4 kutive për fletët e papërdorura), do na tregojë më shumë dhe do vlejë për të përcaktuar trendin e problemit. Ndaj mbledhjen për Gjirokastrën, po e shtyjmë për të enjten në orën 16:00”, tha Bele, duke deklaruar mbylljen e seancës.