Spanjë, 31 korrik 2014 – Nëse Katalunja fiton pavarësinë e shumëkërkuar, futbolli do të humbasë një nga duelet më spektakolare në botë sepse Barcelona nuk mund të jetë më pjesë e kampionatit ku luan edhe Reali i Madridit. Presidenti i Ligës Spanjolle të Futbollit paralajmëroi kështu një nga pasojat më të dukshme që do të ketë pavarësia e këtij rajoni në Spanjë. Katalunja prej shumë vitesh në fakt lufton për një shkëputje të plotë nga Spanja për shkak të diferencave në gjuhë dhe kulturë. Barcelona është përdorur ndërkohë si një nga simbolet më të fuqishme në fushatën e Katalunjës për pavarësi, por Javier Tebas tha se realizimi i një skenari të tillë do t’i linte blaugranat automatikisht jashtë La Ligas.

“Në të vërtetë nuk dua të spekuloj për të pamundurat sepse Katalunja do të jetë gjithmonë pjesë e Spanjës. Sidoqoftë shqetësimi im nuk shkon vetëm për Barcelonën, por edhe për klubet e tjera si Nastic, Girona, Espanyol, Llagostera dhe Sabadell. Nëse Akti Sportiv mbetet ai që është sot, atëherë këto klube nuk mund të jenë më pjesë e kampionatit tonë. Në rast pavarësie të Katalunjës, Barcelona do të qëndronte në La Liga, vetëm falë një pakti ndër-shtetëror”.

Tebas dha si shembull rastin e Andorrës, klubet e së cilës mund të luajnë në kompeticionet spanjolle, si pasojë e një pakti të arritur mes dy vendeve.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/