Ekipet e shpëtimit kanë vijuar kërkimet mes rrënojave të ndërtesave të shkatërruara në jug të Filipineve të martën, për të siguruar që askush të mos ketë mbetur i bllokuar, një ditë pas një prej tërmeteve më të forta që ka goditur vendin në gjysmë shekulli.
Tërmeti ka lënë të paktën 37 të vdekur dhe ka zhvendosur më shumë se 20 mijë persona. Sipas autoriteteve, vetëm katër persona figurojnë të zhdukur në zonat jugore pranë epiqendrës së tërmetit me magnitudë 7.8.
Megjithatë, Zyra e Mbrojtjes Civile ka theksuar se ndërtesat e shembura dhe të dëmtuara rëndë duhet të kontrollohen me kujdes për të parë nëse ka ende të mbijetuar apo viktima të tjera.
Tërmeti u regjistrua në det, pranë ishullit Mindanao, ishulli i dytë më i populluar në Filipine. Rreth 500 persona janë plagosur, ndërsa mbi 20 mijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, shumica duke u strehuar në qendra emergjente.
Shumë banorë u larguan nga frika e një cunami. Në Filipine u regjistruan valë deri në 1.4 metra mbi nivelin normal të detit, megjithëse dëmet e vetme të raportuara nga cunami ishin në disa shtëpi të ngritura mbi shtylla në një fshat bregdetar. Valë më të vogla u regjistruan edhe në Indonezi, Palau dhe deri në jug të Japonisë.

Tërmeti ka shkaktuar gjithashtu shkatërrime të mëdha në tokë, përfshirë në qytetin General Santos, një qytet bregdetar me mbi 700 mijë banorë, i njohur si qendra e industrisë në vend. Aty humbën jetën të paktën 13 persona, nga shembja e ndërtesave dhe rënia e mbeturinave.
Në provincën Sarangani, të paktën 18 persona u vranë, kryesisht si pasojë e një rrëshqitjeje toke në qytetin malor Glan. Viktima të tjera janë raportuar në provincat South Cotabato dhe Davao Occidental, si dhe në ishullin Balut.
Rreth 2 mijë shtëpi dhe 117 ndërtesa qeveritare janë dëmtuar në disa provinca të tjera, sipas vlerësimeve paraprake.
Aeroporti ndërkombëtar i General Santos është mbyllur përkohësisht, duke detyruar anulimin e dhjetëra fluturimeve, përveç atyre me qëllime humanitare. Rreth 6 mijë ndërtesa shkollore në zonat e prekura duhet të inspektohen para se të rifillojë mësimi. Tërmeti ndodhi në ditën e parë të vitit shkollor pas pushimeve verore, ndërsa shumë nga të plagosurit ishin nxënës.





