Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi ka reaguar në lidhje me gjuhën e përdorur ndaj gazetares Afrovita Hysaj, e cila u linçua nga një televizion lokal për shkak të punës së saj, lidhur me deklaratat për përdhunimin e 26-vjeçares në Vlorë.

Krasniqi me anë të një postimi në rrjetet sociale ka dënuar ashpër gjuhën seksiste dhe fjalorin diskriminues të përdorur ndaj gazetares, dhe ky rast, siç shkruan Krasniqi ka nxjerrë edhe një herë në pah boshllëkun ligjor që ekziston për trajtimin e fenomeneve të tilla që ndeshen rëndom në median online.

Reagimi i plotë i Armela Krasniqi:

Konsideroj të papranueshme gjuhën e përdorur nga portali 6plus1vlora.al, ndaj gazetares Afrovita Hysaj.

Dënoj me forcë çdo lloj komunikimi si ky, në të cilin një grua, një gazetare profesioniste, sulmohet duke përdorur fjalor denigrues, gjuhë seksiste, diskriminuese dhe banale.

Për pikënisjen që solli këtë devijim komunikimi, sigurisht që do të vendosin organet kompetente. Çfarë unë mund të them me bindje është, se ky është një rast flagrant i lincimit të një gazetareje, i dënueshëm, që shkel mbi dinjitetin e njeriut, lirinë e fjalës dhe çdo kod etike profesionale.

Ky rast – për fat të keq, jo i vetmi – nxjerr edhe një herë në pah boshllëkun ligjor që ekziston për trajtimin e fenomeneve të tilla. Inkurajoj dhe shpreh përkrahjen time për shoqatat e gazetarëve, grupet e interesit dhe çdo individ, në iniciativat ligjore për hartimin e rregulloreve të funksionimit të medias online, por edhe të përmirësimit akoma më tej të kuadrit ligjor ekzistues.

Uroj dhe shpreh besimin, që raste të tilla të mos përsëriten dhe çdo profesionist i medias të reflektojë mbi fenomene të tilla”.