Agjencia e Prokurimeve ka publikuar zyrtarisht anulimin e tenderit me fond limit 4.59 miliardë lekë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, për një periudhë 48-mujore. Tenderi ishte shpallur më 17 gusht 2026 nga Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH), me procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar.

Në garë kishte marrë pjesë vetëm kompania Diaverum AB, e cila ishte shpallur fituese më 10 shtator 2026. Megjithatë, procedura është anuluar tashmë zyrtarisht në sistem, me argumentin se janë konstatuar “gabime ose mangësi të rëndësishme në dokumentet e tenderit”.

Anulimi vjen pas deklarimeve të mëparshme verbale nga Ministria e Shëndetësisë për anulimin e kontratës. OSHISH është shoqëri me zotërim publik, e krijuar më 15 janar 2026. Gjatë javëve të fundit, në këtë shoqëri kanë pasur ndryshime në statut, objekt, kapacitete dhe drejtim.