Anëtarët kanë kërkuar që t’u sqarohen zyrtarisht të drejtat e tyre, pasi përveç aprovimit të projekteve të paraqitura ata mund të japin miratimin e tyre edhe përsa i përket fondit me të cilin do të sponsorizohen këto aktivitete. Deri tani bordi financiar i ngritur pranë institucionit të pushtetit lokal ka përcaktuar shumën përkatëse të financimit për çdo projekt artistik. Anëtarët e këshillit kërkuan gjithashtu që secili prej projekteve që paraqitet për miratim të jetë i protokolluar dhe dosja përkatëse të prezantohet para këshillit nga personi që ka aplikuar për secilin projekt

Gati dy vjet pas bllokimit të veprimtarisë së tij, këshilli kulturor nisi të funksionojë. Javën e kaluar anëtarët e këshillit kulturor u njohën me projektet artistike që janë dorëzuar pranë drejtorisë së kulturës në bashki dhe që presin të miratohen dhe financohen gjatë këtij viti. Por pavarësisht njohjes me këto projekte këshilli nuk mundi të merrte vendim për to, sepse përmes një shkrese anëtarët e tij i janë drejtuar departamentit juridik që funksionon pranë pushtetit lokal për t’u njohur me kompetencat që ka ky këshill. Anëtarët kanë kërkuar që t’u sqarohen zyrtarisht të drejtat e tyre, pasi përveç aprovimit të projekteve të paraqitura ata mund të japin miratimin e tyre edhe përsa i përket fondit me të cilin do të sponsorizohen këto aktivitete. Deri tani bordi financiar i ngritur pranë institucionit të pushtetit lokal ka përcaktuar shumën përkatëse të financimit për çdo projekt artistik.

Nëse departamenti juridik do t’i njohë këshillit kulturor edhe të drejtën e dhënies së mendimit për çdo financim projekti, atëherë anëtarët e këshillit do të mund të shprehin qartë opinionin e tyre lidhur me shumat që do të akordohen për mbështetjen e veprimtarive të programuara në axhendën artistiko-kulturore të këtij viti. Nga ana tjetër, anëtarët e këshillit i kanë kërkuar drejtorit të kulturës në bashki, Adrian Gurra, që secili prej projekteve që paraqitet për miratim të jetë i protokolluar dhe dosja përkatëse të prezantohet para këshillit nga personi që ka aplikuar për secilin projekt. Në mbledhjen e kësaj të hëne pritet që për herë të parë të mbahet edhe proçesverbal, sepse deri tani një praktikë e tillë nuk është bërë. Anëtarët e këshillit e kanë kërkuar një gjë të tillë nga administrata e bashkisë për të qenë e shkruar e zeza mbi të bardhë çdo kundërshti, propozim apo arsyetim që mund të jepet nga anëtarët gjatë mbledhjeve. Këtë të hënë pritet të kalojnë për miratim të gjitha projektet ose ato më kryesoret afati i mbajtjes së të cilave është shumë pranë dhe nuk mbetet më kohë për të humbur

Projektet

Në tavolinën e drejtorit të kulturës në bashki, Adrian Gurra, gjenden 10 projekte që presin të marrin miratimin e këshillit kulturor. Megjithëse i paraqitur me vonesë dhe ndërsa në fillim u tha se nuk do të përfshihej në listën e financimeve, projekti “Dita e durrsakëve” u përfshi në listën përfundimtare. Ky projekt është një inisiativë e anëtarëve të një forumi në një rrjet social, i cili kërkon të mbledhë në një ditë të vetme në Durrës shumë prej emigrantëve dhe artistëve të qytetit bregdetar që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në vendet perëndimore. Ndërsa bashkia në fillim u kishte garantuar mbështetjen vetëm përsa i përket anës teknike dhe ambienteve ku parashikohen të mbahen aktivitetet e programuara nga grupi organizator, tashmë mesa duket do të akordojë edhe një fond të veçantë për veprimtaritë që do të mbahen më 11 gusht.

Ajo që vihet re në listën e projekteve është fakti se pjesa më e madhe e tyre janë kthyer tashmë në traditë për qytetin dhe pritet të zhvillojnë edicionin e rradhës këtë vit. Aktivitetet ndërkombëtare, që marrin dhe pjesën e luanit në financimet që akordohen nga pushteti lokal, do të jenë edhe këtë vit pjesë e jetës artistiko-kulturore të qytetit. Festivali ndërkombëtar i filmit, festivali ndërkombëtar i dansit modern dhe ai i muzikës së dhomës janë tre veprimtaritë kulturore që i kalojnë kufinjtë e Durrësit dhe Shqipërisë duke pasur një pjesëmarrje të gjerë nga artistët ballkanas, ata europianë e më gjerë. Në kalendarin e veprimtarive të planifikuara nuk mungojnë aktivitetet e përvitshme të organizuara nga shoqata “Durrësi” siç është Festa e pranverës, Festa e detit dhe Festa e ullirit apo koncerti i Krishtlindjes dhe ai i fundvitit, i organizuar nga shoqata “Jan Kukuzeli”. Spektaklet e bukurisë “Miss dhe Mister Durrësi” si dhe “Miss dhe Mister Turizmi” do të mbështeten edhe këtë vit nga pushteti lokal.

Ajo që të bie në sy në listën e projekteve që presin të miratohen është numri mjaft i pakët i aktiviteteve të organizuara në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. Vetëm dy aktivitete të tilla janë përfshirë në listën e projekteve që tashmë janë prezantuar para anëtarëve të këshillit kulturor. Eksperienca e vitit të kaluar, ku shumë aktivitete, megjithëse pushteti lokal u kishte premtuar mbështetjen financiare, nuk përfituan fonde, duket se i ka trembur aktorët që mund të ideonin veprimtari të kësaj natyre. Mbarimi i mandatit të këshillit të kaluar dhe mos konstituimi i këshillit të ri i penalizoi shumë projekte, që megjithëse u zhvilluan organizatorët e tyre nuk përfituan mbështetjen financiare nga bashkia e qytetit bregdetar. Numri i pakët i projekteve të paraqitura pranohet edhe nga drejtori i kulturës në bashki, Adrian Gurra, i cili thekson se megjithëse jo për faj të tij, pushteti lokal nuk mundi një vit më parë të mbështeste me shuma qoftë edhe modeste veprimtari të ndryshme artistiko-kulturore. 


 

Lista e projekteve

 

  1. “Summer Fest 2012”, një projekt i paraqitur nga fondacioni “Dritan Hoxha” dhe televizioni “Top Channel”
  2. “Maratona e muzikës popullore”, projekt i paraqitur nga shoqata “Euro media” dhe televizioni Klan 
  3. “Festivali ndërkombëtar i filmit”, projekt i shoqatës së kineastëve “Belmond”, i cili regjistron edicionin e pestë këtë vit
  4. “Festa e pranverës”, “Festa e detit” dhe “Festa e ullirit”, aktivitete këto të përvitshme të organizuara nga shoqata “Durrësi”
  5. “Festivali ndërkombëtar i dansit modern”, aktivitet i organizuar nga shoqata “Durrës Beauty”. Këtë vit është edicioni i shtatë i tij
  6. “Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës”, aktivitet që organizohet prej gjashtë vjetësh nga shoqata “Arti dhe kultura italo-shqiptare”
  7. “Miss dhe Mister Durrësi” dhe “Miss dhe Mister Turizmi”, spektakle këto që evidentojnë bukurinë durrsake në nivel kombëtar
  8. “Koncert festiv për Krishtlindje dhe Vitin e ri”, i organizuar nga shoqata “Jan Kukuzeli”. Koncerti sinfonik mbahet për të katërtin vit rradhazi
  9. “Durrësi, pararendës i ngritjes së flamurit në 25 nëntor 1912”, projekt i prezantuar nga shoqata “Jan Kukuzeli”. Organizohet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë
  10. Koncert festiv dhe ekspozitë “Nuk ka si ti Shqipëria ime”, projekt i propozuar nga shoqata “Artlink” me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë
  11. “Dita e Durrsakëve”, projekt i propozuar nga shoqata “Forumi i Durrsakëve”. Aktiviteti organizohet për herë të parë dhe parashikohet të zhvillohet me 11 gusht