Arif Hasani tregon se si ka bërë 42 operime të paligjshme në sallën e spitalit të Bulqizës gjatë viteve 1979-1982. Ndonëse salla e kirurgjisë në Bulqizë nuk ishte e aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë, kirurgu, i shtyrë nga misioni human dhe ambicia për profesionin, ka mundur të sfidojë edhe frikën. Varfëria e madhe e banorëve të zonës së Peshkopisë e Bulqizës, paragjykimet dhe bestytnitë e ndryshme, kloni i kufirit me Dibrën e Madhe kanë qenë sfidat me të cilat janë përballur për shumë vite bluzat e bardha në veriun e vendit.

Arif Hasani, kirurgu që sot ushtron profesionin në qendrën spitalore universitare në Durrës, ka veshur për të parën herë bluzën e bardhë të shërbimit shëndetësor në fshatin e tij të lindjes, në Trebisht të Dibrës së Vogël. Me të përfunduar studimet e mesme në shkollën mjekësore në Tiranë rikthehet në fshatin e lindjes, gjë që e kishte ëndërruar. Fshati asokohe, në vitin 1965, kishte më shumë se 400-450 shtëpi dhe rreth 1500-1600 banorë. Ishte fshat i madh e me shtrirje të gjerë në një terren tejet të thyer dhe kishte jo pak vështirësi qarkullimi sidomos në orët e natës, pasi ishte fshat kufitar me Dibrën e Madhe.

Për të dërguar një të sëmurë në Peshkopi fillimisht duhej njoftuar posta e kufirit për të hapur derën e klonit, ndryshe ishte e pamundur ndihma. Një fakt i tillë shkaktonte probleme të panumërta. Duhej të lëviznin shumë struktura për një rast urgjence. Duhej ngritur në këmbë dega e brendshme, posta e kufirit, njësiti kufitar, këshilli i fshatit, këshilli i bashkuar, përfaqësues të frontit etj.

Mjeku i mesëm do të kujdesej jo vetëm për Trebishtin, me tri lagjet e mëdha, por edhe për banorët e Gjinovecit e të Vërnicës duke rendur sa në njërën anë të malit në anën tjetër, atje ku ishin lagjet e grumbulluara dhe shtëpitë e veçuara. Trebishti ka gjashtë muaj dimër të fortë dhe pjesa më e madhe e dimrit është nën sundimin e dëborës, e cila paralizon të gjithë jetën pasi trashësia shkon deri në 2.5 m dhe akulli shkrihet vetëm në pranverë.

Ndihmësmjeku Hasani kishte përfunduar shkëlqyeshëm shkollën dhe kjo ishte një arsye më shumë për atë që të ndihej kryelartë para bashkëfshatarëve. Por ai tregon se brenda pak ditësh nga koha e nisjes së punës në ambulancën e fshatit Trebisht nisi të ndeshej me probleme e vështirësi serioze. Bestytnitë dhe paragjykimet kishin bashkëjetuar me banorët e zonës së thellë të Dibrës, me to ishin rritur e plakur, ndaj edhe besonin deri në verbëri.

Trebishti gjendet rreth 63 km larg nga qyteti i Peshkopisë dhe banorët në rastet e sëmundjeve drejtonin sytë tek plakat e fshatit, të lagjes apo të shtëpisë. Hasani tregon se pushteti i tyre ishte i padiskutueshëm dhe nuk kishte asnjë burrë shtëpie e burrë fshati të dilte mbi fjalët e plakave. “Shqetësuese ishin rastet kur sëmureshin fëmijë apo edhe gratë, pasi në raste të tilla ndikimi i plakave, fjalët dhe veprimet e tyre ishin më të dukshme”,-rrëfen kirurgu. Plakat përdorin të njëjtat “ilaçe” në raste të tilla.

Doktori tregon se shërueset popullore kuronin më së shumti me kripë, thëngjij të shuar në ujë, bukë dhe në ndonjë rast të rrallë, tek ndonjë plakë me më shumë përvojë, përdorej ndonjë bimë mjekësore e grumbulluar në kohë vere në malet që rrethonin Trebishtin. Kirurgu tregon se përdorej çaji i malit dhe ishte shumë i mire, por për një të sëmurë me ethe, bajame, dhembje të veshkave, të ftohur, çaji nuk kishte asnjë efekt shërues, për të mos përfshirë këtu rastet e helmimeve, dhembjet e veshkave etj.

Ndihmësmjeku që më pas do të bëhej kirurg shumë i njohur në Peshkopi, vendosi t’i merrte gjërat me ngadalë duke synuar të futej me shumë kujdes si ndihmësmjek në shtëpitë e fshatit të qetë. “Mua më donte fshati, por si Arif jo si ndihmësmjek. Ata besonin tek plakat dhe shërbimi i tyre”,-thotë Hasani. Të moshuarat merrnin në prehër fëmijën e sëmurë dhe pasi shuanin thëngjij në ujë ia jepnin fëmijës ujin për ta pirë të bindura se u ulej temperatura dhe u largohej e liga.

Në një rast tjetër merrnin kripë dhe pasi ktheheshin me kurriz nga zjarri e hidhnin kripën në zjarr që nga këmbët dhe lëviznin buzët me idenë se kështu largonin të këqijat nga trupi i të sëmurit. “Kur dola ndihmësmjek mësova shumë gjëra në fshatin tim që nuk i dija edhe pse isha lindur e rritur aty”,-thotë kirurgu.

Ai më pas tregon se veprime të tilla ishin shumë të kushtueshme, pasi gjendja e të sëmurit përkeqësohej. Hasani ruan disa kujtime se si ka mundur të depërtojë në shtëpitë ku gjendej i sëmuri dhe kujdesin që tregonte për të mos lënduar plakat, ndërkohë që arrinte të bindte të sëmurin për të marrë medikamente mjekësore. Ambulanca e fshatit kishte mami dhe kjo qe një punë lehtësuese për ndihmësmjekun, por në jo pak raste ka shoqëruar për në Peshkopi edhe gra për në shtëpinë e lindjes.

Pas tre vitesh Hasani do të lërë Trebishtin për t’u kthyer në auditoret e Universitetit të Tiranës për të vazhduar studimet për mjekësi, ndërsa me bashkëfshatarët vijon edhe sot e kësaj dite të mbajë jo vetëm lidhjet, por edhe të kryejë vizita të rregullta. Ndryshe nga vitet e para të ushtrimit të profesionit, tani kirurgu Arif Hasani shkon në fshatin e tij në Trebisht e Klenjë për të vizituar fshatarët së bashku me një ekip mjekësh nga Durrësi. Shtëpinë në Trebisht e ka kthyer në qendër shëndetësore dhe bën vizita një herë në muaj. Me vete merr edhe kolegët e tij, kirurgët e njohur: Shaban Dedej, Ismet Balla dhe Osman Dafku.

Profesionin e kirurgut e keni nisur në Bulqizë. Qyteti i minatorëve ka pasur raste të shumta aksidentesh. Si keni mundur ta përballoni?

Me të përfunduar studimet e larta dhe specializimin më emëruan në Bulqizë. Pak mjek e kirurgë e dëshironin atë qytet. Jo se nuk u pëlqente komuniteti. Njerëzit atje ishin të varfër në xhepa, por të pasur në shpirt. Megjithatë, për shkak se në minierë kishte rreth 2.000 minatorë dhe aksidentet ishin të panumërta, asnjë mjek e kirurg nuk dëshironte të rrezikonte karrierën.

Spitali ishte njëkatësh. Kishte edhe një ndërtesë tjetër aty pranë që kishte shërbyer si spital i vjetër. Asokohe në Bulqizë shërbenin dy mjek patologë, një pediatër, një obstetër-gjinekolog dhe një higjenist, por nuk kishte bankë gjaku dhe as pikë serumi. Bllokun e operacioneve e hapa me duart e mia në spitalin e vjetër, aty përshtata 3 dhoma. Mbaj mend se rashë ngushtë për të bërë patinimin.

Salla e operimit pas çdo ndërhyrje kirurgjikale lahet me ujë të ngrohtë dhe me sapun për të sterilizuar mjedisin. Kështu që muret duheshin patinuar. Kërkova andej e këndej dhe nuk gjeja një specialist, një usta. Në Tiranë më thanë se mund të ndërroja mend dhe muret t’i lyeja me tutkall. Ashtu bëra. Autoklavin, pas ndërhyrjeve të shumta, e mora në Tiranë. Sigurova edhe kompletin e kirurgjisë. Penjtë e qepjes së plagëve pas operimit i përgatisja vetë. Sterilizimin e penjve e bëja në Bulqizë. Më pas i dërgoja në Peshkopi në laboratorin e katerologjisë për t’u siguruar se ishin në rregull.

Krijova ekipin e sallës së kirurgjisë. Përgatita personelin dhe zgjodha infermierin për narkozë. Në vitet 1980 në Bulqizë nuk kishte mjek me arsim të lartë për reanimator, kështu që çdo përgjegjësi të ndihmësmjekut në rastet e ndërhyrjeve kirurgjikale e merrja unë. Në datë 9 maj 1979 bëra ndërhyrjen e parë kirurgjikale.

Qyteti i minatorëve kishte shumë urgjenca. Bulqiza si qytet numëronte diku tek rreth 7 mijë banorë, ndërsa minierat kishin edhe 2 mijë minatorë e specialistë të tjerë. Vështirësitë ishin të panumërta, por më duhej t’i kapërceja. Nuk kisha rrugë tjetër. Urgjenca vinte dhe minatori mund të ndërronte jetë sa hap e mbyll sytë, kështu që nuk kisha kohë të mendoja dhe as ta nisja të aksidentuarin për në Peshkopi.

Operimet i bëja me kokën time dhe deri sa pacienti e kapërcente pragun e rrezikut, nuk më zinte gjumi. Fati më ndihmoi. Megjithatë tregohesha edhe i kujdesshëm dhe nuk bëja zhurmë asnjëherë për t’u dhënë të tjerëve të kuptonin se po bëja punë të dënueshme.

Ju ishit specializuar për kirurg dhe arritët të bënit sallën e operimit si dhe të krijonit ekipin. Pse një siklet i tillë rast pas rasti në realizimin e ndërhyrjeve kirurgjikale?

Nga viti 1979 deri në vitin 1982 unë si kirurg kam realizuar plot 42 operime në mënyrë të paligjshme. Pjesa më e madhe ishin urgjenca që vinin nga aksidentet në minierën e Bulqizës. Por kishte edhe të tjera si: aksidente rrugore, plagosje, shembje nga lartësitë e pallateve etj. Sot, kur i kujtoj më duket e pabesueshme.

Për asnjë lloj arsye nuk e marr dot një nismë të tillë edhe pse kam një përvojë shumë të gjatë pune e karriere. Megjithatë i jap të drejtë vetës për atë kohë. Nuk kisha rrugë tjetër në Bulqizë. Së pari, minatorët e aksidentuar nëse do të guxoje t’i transportoje për në Peshkopi, vdisnin rrugës. Më mirë të rrezikoja unë, sesa të shuhej një jetë. Rruga ishte e gjatë.

Ne nuk kishim ambulancë në më të shumtën e rasteve. Duhej pritur të mbërrinte nga Peshkopia. Pra 3 orë së paku deri sa i sëmuri të shkonte tek specialisti. Së dyti, isha specializuar për kirurg dhe kisha besim të padiskutuar tek vetja dhe siguri të plotë në bisturi. Unë përgatita sallën, por ajo duhej aprovuar me vendim qeverie.

Shkova e takova ministrin e Shëndetësisë të asaj kohe, Llambi Ziçishtin. I tregova për situatën jo të mirë të urgjencave kryesisht nga minierat e Bulqizës. Më pas i bëra të ditur se kisha përgatitur edhe sallën, e cila mund të më shërbente për sallë kirurgjie. Ministri më njihte por kjo nuk qe e mjaftueshme për ta bindur që të propozonte në qeveri aprovimin e sallës së kirurgjisë në Bulqizë. Ziçishti e justifikonte pamundësinë me problemet e financimit pasi salla merrte status tjetër, kërkonte reanimator, personel të kualifikuar, kirurg të dytë, puntë gjaku e pikë serumi, fonde.

Ishin shumë gjëra për të shkuar deri tek aprovimi dhe rregullat ishin strikte. E pashë që përpjekjet për ta bindur ministrin ishin të kota dhe vendosa të bëja si ma thoshte mendja. Asokohe isha 30-32 vjeç. U rashë gjërave shkurt, por më ka ndihmuar fati. Nëse një pacient do të më mbetej në dorë gjatë apo edhe pas operimit, duhej të shkoja në burg me këmbët e mia. Po shkelja me të dyja këmbët ligjet. B

ulqiza më kishte vetëm mua kirurg dhe fakti se nuk i shmangesha asnjë rasti, sidomos urgjencave, më ndihmoi shumë. Nuk pati reagime. Banorët e minatorët krijuan shumë besim tek unë dhe nuk u shkonte në mendje se po bëja operime pa pasur asnjë të drejtë ligjore. Ishin fare pak, ndoshta sa gishtat e njërës dorë, njerëzit në Bulqizë që e dinin se salla ishte e pamiratuar dhe se ndërhyrjet e mia kirurgjikale ishin të paligjshme.

Urgjencat që mund të transportoheshin për në Peshkopi i nisja me ambulancë ose vinin dhe i merrnin. Por kishte nga ata që nuk prisnin. Miniera ishte e frikshme. Ndodhte shumë shpesh të na vinin minatorë që i kishte zënë masivi i mineralit, apo ishin zënë poshtë nga galeritë e shembura. Të tjerë gjysmë të vdekur nga mbytja nga gazrat apo të aksidentuar nga vagonë, shkëmbinj, trarë.

Kjo kategori gati e asfiksuar nuk priste as ta hipje në makinë dhe jo ta transportoje 55 km deri në Peshkopi. Salla e kirurgjisë në Bulqizë është aprovuar në vitin 1987, kohë që unë isha transferuar në spitalin e Peshkopisë.

Kujtoni ndonjë rast aksidenti që mundët t’i shpëtonit jetën qytetarit pas ndërhyrjes që e cilësoni si të paligjshme?

Janë disa raste, por ajo që më ka shkaktuar shumë frikë e stres ishte aksidenti i një të riu nga Bulqiza. Quhet Naim Keta. Unë sot e kam vëlla, byrazer. Ishte viti 1980. Të aksidentuarit i kishte plasur mëlçia e zezë. Ishte vetëm 22 vjeç. Në urgjencë ma sollën familjarë e banorë të qytezës. Barku i qe mbushur me gjak dhe kishte pësuar shok nga hemoragjia e madhe.

Bisedova me Peshkopinë dhe tentova ta nisja për atje me makinë. Sapo e kaluam nga salla në korridor, pësoi vdekje klinike. Ishte pa puls, pa tension, pa koshiencë. Fytyra i qe zbehur e tëra. Urdhërova ekipin ta kthejmë në sallë dhe duke i bërë frymëmarrje gojë më gojë e mbanim në jetë. E ëma e djalit më afrohet dhe me lotët e britmat e saj më kap dorën e më thotë “Lëre doktor, ka vdekur”. Nuk pata kohë të flisja, e shikova dhe u bëra me shenjë ekipit për të hyrë në sallë, ndërsa dikush e largoi gruan që nuk i ndahej karrocës së urgjencës.

I aksidentuari donte gjak, por ne nuk kishim asnjë gram në spital. I bëra shumë shpejt analizën dhe doli grupi A pozitiv. Nxitova për të përgatitur konservantin, pasi nuk kishim ujë të distiluar. Përzjeva ujë çezme me natrium citrik, përzierje që futet në shiringë para se të nisë marrja e gjakut në damar dhe që shërben për të mos lejuar mpiksjen. Djersët më mbuluan. Me vete mora vendimin për të ndërhyrë. Një e rrënqethur më depërtoi në tërë trupin.

Dilema duhej zgjidhur dhe nuk prita. Tërhoqa bluzën nga mëngët dhe shtriva dorën. Kisha të njëjtin grup me të aksidentuarin. Urdhërova infermieren të merrte gjak nga damarët e mi. Më panë me habi, por teksa vërejtën dorën e shtrirë dhe vështrimin tim të vendosur nisën punën. Njëra e merrte, kurse infermierja tjetër shiringën me gjak e fuste tek pacienti.

Pasi dhashë 100 gr e parë të gjakut, infermierja më tha se pacientit i kishte plasur vena. I bëra operim tek këmba dhe pasi ia gjeta venën, futa kateterin venos. Kështu vazhduam deri sa pacienti hapi sytë. Kishte marrë 250 gr gjak, por unë vazhdova deri sa dhashë 350 gr. I erdhi pulsi e tensioni. Telefonova Peshkopinë dhe kërkova gjak dhe një kirurg.

Pas meje kërkova që kryeinfermierja Flutura Tomçini të bënte të njëjtën gjë. Edhe ajo dha gjakun e saj. Kishte të njëjtin grup. Shpresat ishin të pakta, por besoja se bulqizakët nuk do të më linin të vetëm. Kështu ndodhi. Oborri i spitalit u mbush plot me qytetarë. Ata që panë se ç’ndodhi në derën e spitalit e përhapën fjalën në qytezën e vogël. Vura ekipin mjekësor të merrte analiza dhe ata që kishin të njëjtin grup u afruan për të dhuruar. Nga ana tjetër mbërritën edhe minatorët me libreza në dorë.

Në këto libreza kishin të shënuar edhe grupin e gjakut. Mblodha më shumë se 6 litra gjak. Nga Peshkopia mbërriti ekipi me kirurgun Tahir Alku dhe personelin e puntit së bashku me 2 litra të tjera gjaku. Operimi zgjati pesë orë. 22-vjeçari Naim Keta ishte nga Vajkani. Kishte vetëm pak kohë që qe liruar nga ushtria. Guximi im i shpëtoi jetën. Ishte e vetmja mënyrë për të ndërhyrë. Mjeku duhet të jetë profesionist, por edhe të marrë vendime të prera dhe në kohë.

Sot kam hyrje e dalje të rregullta me familjen e tij. I dhashë gjak dhe në raste të tilla njerëzit bëhen vëllezër. Në çdo rast unë jam i pranishëm tek shtëpia e tyre dhe ata në shtëpinë time. Raste të tilla kam pasur shumë.

Në jo pak raste diagnostikimi paraqet vështirësi. Jeni ndeshur në raste të vështira në përcaktimin e diagnozës?

Populli thotë “një është hiç, dy- gjysmë, tre- tamam”. Në Bulqizë nuk kishte kirurg tjetër, kështu që vendimet i merrja vet. Por edhe në Peshkopi jam ndeshur me vështirësi në përcaktimin e diagnozës. Kishte raste që nuk i kishim ndeshur në literaturën e mësuar në auditore. Në karrierën time si kirurg më ka ndihmuar shumë edhe literatura në gjuhë të huaj.

Studioja në frëngjisht e anglisht dhe njihja edhe serbishten. Një herë më vjen një pacient. Quhej Ashim Basha dhe ishte 44 vjeç. Kishte pësuar infeksion kalbëzues rreth uturakut. Në gjuhë mjekësore infeksioni quhej Flegmona Foirnioer. Shkak ishin bërë mikrobet anaerobe (qeliza që jetojnë pa oksigjen). E ndeshja për herë të parë. Infeksioni kishte përparuar duke arrirë në pjesën e pasme nga shpatullat deri në gropat e gjurit, kurse para nga gjinjtë deri tek gjinjtë. S

hpina, kofshët, kërthiza të gjitha të ënjtura. Lëkura i kishte marrë ngjyrë kafe në të errët, rridhte lëng me ngjyrë plehu dhe erë shumë të rëndë. Kur e mjekoja duke ia prerë lëkurën e kalbur me gërshërë të gjithë pacientët e pavijonit dilnin jashtë, në oborrin e spitalit. Testikujt i qenë zbuluar plotësisht, pasi lëkura qe rrjepur e gjitha. Kërkova ndihmë por nuk gjeja asnjë mundësi për ta diagnostikuar.

Iu futa librave mjekësorë në frëngjisht dhe pas shumë përpjekjeve e gjeta. Duhej që me gërshërë t’ia prisja lëkurën disa centimetër në trupin e shëndoshë me qëllim që kur të vinin mikrobet të ndeshnin në oksigjen dhe të ngordhnin. Pra duhej bërë i njëjti veprim si në rastet kur bie zjarr në pyll: hapet kanali disa metër larg nga vatra e zjarrit për ta izoluar.

Për tre muaj m’u desh të luftoja për ta mbajtur këtë pacient në jetë. Ia dola. Disa vite më pas, teksa unë po ngjitesha në Sauk për tek senatoriumi në Tiranë dikush më thërret në emër. U ndala dhe pashë një çoban që zbriti kodrën dhe m’u afrua. Ishte pacienti me sëmundjen e rrallë që e kisha kuruar në Peshkopi. Më tha se ndihej mirë dhe se nuk i ishte shfaqur më ajo sëmundje.

Kujtimet e para si mjek i keni të lidhura me fshatin tuaj, Trebishtin. Ju tani jetoni në Durrës, por thoni se kryeni vizita edhe në fshat…

Trebishti është vendi im me të cilin më lidhin njëmijë e një histori, kujtime, gëzime, halle. Fshati asokohe ka qenë i madh, i shtrirë dhe me probleme jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në mentalitet, si gjithë zonat fshatare. Nga njëra anë, më është dashur të bëj një punë të madhe me bashkëfshatarët e mi, për t’i bindur të heqin dorë nga kurimi pa asnjë bazë shkencore mjekësore.

Ana tjetër ka të bëjë me problemet e klonit. Rrjeta me tela në brezin kufitar ishte pengesë shumë e madhe. Në Trebisht isha ndihmësmjek, sapo kisha mbaruar të mesmen mjekësore. Në orët e natës kloni hapej vetëm me vendime të posaçme. Para se të njoftohej ambulanca për t’u nisur nga Peshkopia, lypsej të vihej në dijeni posta e kufirit. Ata të kufirit njoftonin degën e brendshme duke ia bërë të ditur fije e për pe kërkesën tonë. Dega e brendshme urdhëronte hapjen e portës së klonit duke bërë që të dilte në shërbim njësiti kufitar.

Kloni e priste rrugën e makinës dhe ne e kishim të detyruar të kërkonim leje. Një rast më njoftojnë se një fëmijë ishte rëndë. Kreva të gjitha detyrimet për të arritur tek hapja e klonit. Autoambulanca kishte ardhur nga Peshkopia, por qëndronte në pritje në Ostren, fshati përtej Trebishtit pasi kloni vazhdonte të ishte i mbyllur. 5-vjeçari me ethe e temperaturë po përkeqësohej. Njësiti i kufirit nuk po vinte për të hapur portën. Ndezëm zjarr dhe pritëm disa orë.

I bëra disa injeksione fëmijës por nuk më lejohej të ndërhyja më tej pasi kërkohej konsulta me mjekun. U ngrita dhe nxitova drejt klonit. Mora dy telat dhe i bashkova. Isha i sigurt se bashkimi i telave do të merrej si prekje e kufirit. Kështu ndodhi. I gjithë kufiri u ngrit në alarm. Njësiti dhe përforcime nga të gjitha anët erdhën me nxitim. U tregova se kishin orë të tëra me të sëmurë që prisnim. Këto kujtime më vijnë shpesh në mendje. Por i kujtojmë edhe me fshatarët. Unë shkoj shpesh në Trebisht.

Me vete marr edhe një ekip mjekësh. Tek shtëpia që kam atje kam dërguar eko dhe aty bëj vizita për fshatin çdo muaj. Sot Trebishti ka më pak banorë, por nevojat për mjek janë të shumta. Para katër vitesh u them disa kolegëve për të më shoqëruar dhe ata m’u përgjigjën. Me vete kishim aparatin e eco-s. Nusja e djalit më kërkoi ta bënte ajo ECO-n e parë në Trebisht, por unë nuk e pata me qejf pasi e kisha dërguar për bashkëfshatarët dhe jo për familjen time.

Kolegët ma kthyen mendjen. Nisëm vizitën. Dr. Fatmir Thaçi vuri sondën në barkun e saj dhe në ekran u shfaq një masë sa një portokall. Ia afrova Fatmirit e i them tek veshi “A është apo më bëjnë sytë?”. Fatmiri më përgjigjet me zë të ulët “Po, është”. Dola jashtë, më polli belaja. Nuk e prisja. Pas meje erdhën doktor Shaban Dedej, Ismet Balla e Osman Dafku.

E konsultuam larg veshëve të nuses së djalit e cila ishte 29 vjeçe. Pasi mbaruam vizitat në fshat u kthyem në Durrës. Së bashku u konsultuam me dr. Besim Elezin. Bëmë ekzaminime të reja si dhe rezonancë. Rezultoi se ishte tumor i gjendrës mbiveshkore. Dr. Besimi e operoi dhe sot nusja e djalit gëzon shëndet të mirë.

Nëse ajo nuk do të këmbëngulte për të bërë eko jeta e saj sot do të ishte në pikëpyetje të madhe. Ekipi ynë bëri një diagnostikim të madh në majë të malit. Gjatë leksioneve me studentët e mi në Durrës tek Medicomi dhe në Peshkopi u tregoj pikërisht rastet e rralla të ndërhyrjes kirurgjikale dhe i përgatis ata për vendimet e pjekura që duhen marrë në momente kyçe.

Rastin me të sëmurin e prekur nga Flegmona Foirnier e kam referuar në seminarin shkencor të mjekësisë në Dibrën e Madhe. Në cilësinë e pedagogut në shkollat e mesme mjekësore jam bërë disa herë pjesë e ekipeve të shkëmbimit të përvojës dhe të kumtesave në Tiranë, Peshkopi, Tetovë, Strugë, Sarajevë. Mjekët sot, veçanërisht mjeku i familjes duhet të punojnë shumë për të rritur cilësinë e shërbimit dhe besueshmërinë tek pacienti.