Nëse thua “Jurgen Klop”, përgatitu për diçka të çmendur. Trajneri që krijon ekipe me karakter. Lojtarë që nuk dorëzohen për asnjë moment dhe dhurojnë paraqitje të paharrueshme. E tillë ishte edhe ajo kundër Dortmundit. Liverpuli realizoi një nga ato ndeshje që shkruhen në librin e momenteve të arta të këtij sporti. Trajneri gjerman shprehet se futbollistët e tij luftuan si “djaj” dhe realizuan një përmbysje të madhe. Ai tregon se në pushimin e pjesës së parë nuk u kishte kërkuar që të triumfonin, por të tregonin karakter dhe të fitonin respektin e tifozëve…

Si ndiheni pas një përmbysje të tillë?

Diçka që nuk di se si ta shpjegoj. Një mbrëmje e mrekullueshme. Vërtet e mrekullueshme në “Anfield”. Të jem i sinqertë, ishte një ndeshje e çuditshme.

Pse e cilësoni të çuditshme?

Po, mënyra se si shkoi. Ne që e gjetëm veten në disavantazh të dy golave në shtëpi. Më pas ajo përmbysje. Nuk janë gjëra që ndodhin çdo ditë në futboll. Apo jo?!

Çfarë i thatë ekipit në përfundim të pjesës së parë?

Që duhet të jepnin më të mirën e tyre. Të luftonin fort deri në sekondën e fundit. Tifozët ishin aty duke i parë dhe meritonin diçka të bukur prej nesh. Nuk duhet ta mbyllnim aq lehtë. Nuk më interesonte fakti që mund të humbisnim, por doja që të tregonim karakter. Ndonjëherë e fiton respektin e tifozëve edhe kur humbet. Por, duhet t’u tregosh që më të mirën deri në fund. Ne nuk luajtëm për përmbysje, por për të treguar të gjithë forcën.

Besuat se do e përmbysnit?

Kur futa në fushën e lojës Xho Alenin dhe Danil Starrxhin, doja që t’i tregonim kundërshtarit se ne nuk ishim dorëzuar. Dhe në fund ia dolëm… Doja që lojtarët e mi të luftonin dhe ata luftuan si “djaj”. Sigurisht që patëm edhe pak fat. Ky është futbolli europian. Pa limite. Me emocione të forta.

Fitore e madhe, por eliminuat Dortmundin tuaj…

Tani është Liverpuli i imi. Sigurisht që Borusia është një klub që nuk e ndaj dot nga vetja, por në futboll fiton më i miri. Festa juaj në fund e tregoi më së miri edhe lumturinë për këtë kualifikim. Është normale. Të gjithë festuan si të çmendur. Në fakt, po më dhëmb shumë krahu i djathtë. Nuk e di arsyen, apo se kush më ka goditur. Por, tani kam një miksim ndjenjash (qesh).

Ndiheni më afër Champions-it?

Mos më pyet për atë m…