TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli ka bërë sot publike 10 propozime, që sipas forcës opozitare do të përmirësonin situatën ekonomike në vend.
Sipas Kodhelit, bujqësia është një sektor që po vuan nga kostot tejet të larta dhe të papërballueshme për fermerin shqiptar. PS propozon të hiqet akciza e naftës për fermerin.
“Partia Socialiste është e vendosur që të çojë deri në fund propozimet e saj për të këtë sektor jetik. Propozimi i PS-së është heqja e akcizës për naftën dhe kjo do të thotë që 1 litër nafë të bëhet 135.6 lekë. Propozim tjetër është ulja e imputeve të tjera të produkteve të bujqësisë dhe heqja e TVSH-së për plehrat kimike” tha Kodheli.
Sipas Kodhelit TVSH-ja për energjinë duhet të zbresë nga 20% në 6%.
Kodheli ka theksuar se “Biznesi i vogël është në falimentin dhe kreditë e këqija janë rritur me ritme të frikshmë dhe këto e bëjnë që biznesi të përjetojë krizën që është ulur këmbëkryq në ekonominë shqiptare. Propozimi ynë është heqja e gjobave” shtoi ajo.
Kodheli kërkoi angazhimin e mazhorancës në Kuvend për të shqyrtuar me seriozitet propozimet e Partisë Socialiste.