Lulëzim Perati për më se 23 vjet koleksionon punime artistike dhe artizanati nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Një pjesë e koleksionit të tij të pasur për herë të parë u bë i njohur për publikun durrsak këtë fillim jave. Në këtë ekspozitë janë pasqyruar katër koleksione: ai i stolive të grave shqiptare, kostumeve popullore, furkave dhe qostekëve.

 

Koleksionizmi është një pasion i veçantë, që krahas kënaqësisë estetike që të fal kur arrin ta pasurosh koleksionin tënd, nga ana tjetër mbart në vetvete një kosto financiare dhe punë të lodhshme shumëvjeçare. Këtë më mirë se kushdo mund ta shpjegojë koleksionisti i palodhur, Lulëzim Perati, i cili për më se 23 vjet koleksionon punime artistike dhe artizanati nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Një pjesë e koleksionit të tij të pasur (numëron rreth 380 objekte që i përkasin trashëgimisë kulturore anembanë vendit) për herë të parë u bë i njohur për publikun durrsak e jo vetëm, këtë fillim jave. Galeria pamore e Durrësit “Nikolet Vasia” ka mirëpritur këtë herë një ekspozitë të veçantë, kushtuar e gjitha etnografisë. Merita për mbledhjen, seleksionimin dhe ekspozimin e këtyre objekteve me mjaft vlera kulturore e artistike i përket koleksionistit shijakas. Për më shumë se dy dekada me radhë, Perati ka grumbulluar në të gjitha krahinat e vendit tonë një mori objektesh artistike si stoli grash dhe burrash, kostume popullore, qostekë, furka, punime artizanati etj, një koleksion që do ta kishin zili muzetë etnografikë të çdo qyteti shqiptar. Në këtë ekspozitë janë pasqyruar katër koleksione: ai i stolive të grave shqiptare, kostumeve popullore, furkave dhe qostekëve. Ndërkohë koleksionet e tjera që i përkasin etnografisë familjare si qilimat apo enët e bakrit mund të ekspozohen në një moment të dytë. Koleksioni i Peratit ka një kohështrirje prej rreth tre shekujsh, pasi objektet më të vjetra, që i përkasin stolive të Librazhdit dhe zonës së Çermenikës, në Elbasan, datojnë në mesin e shekullit të XVIII-të. Të gjitha punimet artistike, kostumet popullore dhe stolitë e ndryshme, megjithëse janë pjesë e koleksionit të Peratit, janë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit, pasi i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare. 

Si i mblodhi punimet artistike

Veç udhëtimeve personale në treva të ndryshme, në kërkim të punimeve artistike, që dokumentojnë kostumografinë dhe etnografinë shqiptare në shekuj, koleksionisti Perati bën të ditur se shumë objekte të koleksioneve të tij i ka blerë në Pazarin e Krujës apo në dyqane të punimeve artizanale në qytete të ndryshme të vendit, si Tiranë, Elbasan, Shkodër etj. Gjatë një interviste për gazetën "Dyrrah", koleksionisti shprehet se Pazari i Krujës, me 43 dyqanet që tregtojnë objekte etnografike është një minierë e vërtetë për çdo koleksionist shqiptar. Po ndërsa vite më parë ishte i detyruar të shëtiste mbarë vendin në kërkim të objekteve që do të pasuronin koleksionin e tij, tani gjërat kanë ndryshuar dhe shpesh njerëz të ndryshëm që disponojnë objekte të tilla trokasin në derën e tij për t'i shitur. Ndërsa ndihet i kënaqur se të gjithë e njohin, koleksionisti Perati kujton se shpeshherë u bën apel njerëzve që të mos i hedhin objekte të kësaj natyre. Ai shprehet se jo rrallë herë argjendarë të ndryshëm e kanë thirrur, pasi poseduesit e stolive të vjetra kanë dashur t'i shkrijnë unazat, varëset, apo komponentët e tjerë të stolive, për të bërë një të re. Në këto raste, koleksionisti ka hyrë në tratativa me këta persona për t'i blerë këto stoli të vjetra, të cilat shumë prej njerëzve nuk ua dinë vlerën historiko-etnografike që mbartin. Lulëzim Perati thotë se vit pas viti, krahas pasurimit të koleksionit të tij, ka kryer një punë të vërtetë shkencore, e cila konsiston në njohjen e mirëfilltë të traditave zakonore të trevave të ndryshme të vendit dhe punimeve artizanale e artistike, karakteristikë për çdo zonë të veçantë. Në shumë raste ai është konsultuar me studiues apo etnografë për të përcaktuar me saktësi periudhën kohore të objekteve të caktuara. Njohja e mirëfilltë e çdo komponenti përbërës të kostumeve popullore apo stolive e ka bërë atë tashmë ekspert në këtë fushë. Ndërsa në fillimet e tij objektiv kishte mbledhjen e sa më shumë objekteve të kësaj natyre, tashmë prioritet mbetet kompletimi i çdo koleksioni, deri në imtësi. E kjo gjë, normalisht, ka kërkuar shumë punë dhe vite të tëra përkushtim dhe kërkim të vazhdueshëm. Kompleti i stolive të argjendta të Zadrimës, Librazhdit, Çamërisë, Elbasanit, Krujës, Çermenikës etj, që i përkasin shekujve XVIII-XIX dëshmojnë më së miri në radhë të parë pasurinë etnografike të vendit tonë, për të cilën kanë folur mjaft edhe etnologët e huaj, e në radhë të dytë impenjimin maksimal të Peratit.

Përkushtimi ndaj koleksionit

Një punë vërtet e madhe duke pasur parasysh këtu edhe koston financiare, pasi çdo punim artistik është blerë jo me qëllimin për t'u shitur e për të bërë para, por për të qenë pjesë e koleksionit shumëvjeçar të veshjeve tradicionale dhe komponentëve të tjerë të kostumeve popullore. Krahas blerjes, Perati një vëmendje të veçantë i ka kushtuar riparimit dhe mirëmbajtjes së këtyre objekteve. I gjithë kompleti i orëve është funksional, pasi ato kanë kaluar më parë në duart e mjeshtrave orëndreqës durrsakë. Stolitë e argjendta, të lara në ar apo ato prej bakri, që i përkasin kryesisht veshjeve popullore të shtresave të mesme të popullsisë dëshmojnë se të gjitha kategoritë shoqërore, ndër shekuj, i kanë kushtuar një rëndësi mjaft të veçantë paraqitjes, sidomos në ceremoniale të ndryshme.

Objektivi për të ardhmen është hapja e një muzeu etnografik, ku do të ekspozohen të gjitha objektet e blera prej tij, në mënyrë që si vizitorët vendas ashtu edhe ata të huaj të kenë mundësi të njihen me vlerat dhe pasurinë etnografike të vendit tonë, që përbën një nga veçoritë më domethënëse të kulturës dhe traditës shqiptare në tërësi. Nuk do të bëhet fjalë për një ekspozitë, por për një muze të mirëfilltë që krahas dokumentimit me saktësi shkencore dhe historike të gjitha objekteve, do të hedhë dritë mbi zhvillimin e gjithanshëm të etnografisë popullore në shekuj të ndryshëm të zhvillimit të saj.

Larmia e ngjyrave, modeleve dhe punimi artistik mjaft i arrirë tregojnë më së miri se mjeshtëria artizanale ka qenë një nga armët më të forta të pasurisë etnografike të vendit tonë. Një fakt të tillë e nënvizoi gjatë fjalës së saj studiuesja e njohur e etnografisë, prof. dr. Afërdita Onuzi, e cila theksoi se edhe në ekspozita të zhvilluara në vende të tjera, ku janë bërë prezente para artdashësve të huaj pjesë nga tradita etnografike shqiptare, studiuesit e mirëfilltë janë magjepsur nga pasuria etnografike e trevave shqiptare si dhe larmia e madhe e modeleve. Duke u ndalur në veçanti tek ekspozita e koleksionistit Perati, ajo e falenderoi Lulin për punën voluminoze të bërë prej tij dhe njëkohësisht për iniciativën e ndërmarrë për t'i bërë të vizitueshme këto objekte dhe veshje popullore. Në të njëjtën kohë, zonja Onuzi i bëri apel Ministrisë së Kulturës për të treguar më shumë mbështetje, qoftë kjo dhe monetare, jo vetëm ndaj koleksionistit Perati, por dhe shumë të tjerëve, që kanë sakrifikuar financiarisht për të koleksionuar pjesë të trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Stolitë e grave

Punimet artistike që zënë më shumë vend në ekspozitë janë stolitë e argjendit të ndara më vete, jo vetëm sipas trevave të cilave u përkasin, por edhe sipas sekseve. Ajo që bie në sy në ekspozitë është fakti se shumë nga stolitë kanë dimensione të mëdha dhe nuk mund të kalonin pa u vënë re. Sipas Peratit,- "shumë prej tyre, të përbëra nga dhjetëra monedha (kryesisht ato të nuseve të reja) lëshonin tinguj të fortë, sidomos gjatë valleve, duke dhënë veç efektit estetik edhe një konotacion tjetër, tërheqjen e vëmendjes ndaj asaj që i mbart ato".

Objektivi: Hapja e muzeut

Objektivi për të ardhmen është hapja e një muzeu etnografik, ku do të ekspozohen të gjitha objektet e blera prej tij, në mënyrë që si vizitorët vendas ashtu edhe ata të huaj të kenë mundësi të njihen me vlerat dhe pasurinë etnografike të vendit tonë, që përbën një nga veçoritë më domethënëse të kulturës dhe traditës shqiptare në tërësi. Në këtë rast nënvizon Perati,- "nuk do të bëhet fjalë për një ekspozitë, por për një muze të mirëfilltë që krahas dokumentimit me saktësi shkencore dhe historike të gjitha objekteve, do të hedhë dritë mbi zhvillimin e gjithanshëm të etnografisë popullore në shekuj të ndryshëm të zhvillimit të saj". Hapja e kësaj ekspozite etnografike vjen në vazhdën e aktiviteteve kulturore që Bashkia e Durrësit dhe institucionet e tjera kulturore kanë zhvilluar dhe do të zhvillojnë në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së kombit tonë.

SAKRIFICAT

Një trashëgimi që nuk shitet

Për asnjë moment Perati nuk ka menduar të shesë ndonjë nga koleksionet e tij, megjithëse antikuarët do të ishin të gatshëm të ofronin shuma të mëdha për të bërë të tyret pjesë të këtij koleksioni. Ai shprehet se edhe fëmijëve, të cilëve do t'ua lërë trashëgimi këtë pasuri të vyer, do të kenë të drejtën vetëm ta ruajnë e pasurojnë, por jo ta shesin. Gjatë bisedës, koleksionisti rrëfen historinë e një kryqi katolik, pjesë e koleksionit të stolive të shekullit XIX-të të zonës së Zadrimës, në Shkodër. Në vitin 1988, atij i është ofruar një shifër prej 300 $ nga një shtetas italian, që kërkonte ta blinte me doemos. Me gjithë tentativën e italianit, Perati rrëfen se nuk e shiti kryqin, megjithëse në atë kohë një shumë e tillë konsiderohej mjaft e lartë. Përgjatë viteve, vlerat monetare të objekteve që ka blerë kanë variuar, por koleksionisti shprehet i bindur se do ta vazhdojë hobin e tij, pavarësisht kostos financiare që i ka shkaktuar familjes. "Fjalët e studiueses Onuzi kur tha se gruaja ime meriton një fletë nderi për durimin e treguar me koleksionin tim, koston financiare dhe rrëmujën e krijuar në shtëpi shprehin një të vërtetë të madhe",- thotë koleksionisti.

MINISTRIA E KULTURES

“Kjo punë e heshtur meriton përkrahje”

Olsi Lafe, drejtori i trashëgimisë kulturore pranë Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, i pranishëm në hapjen e ekspozitës së Lulëzim Perati vlerësoi në radhë të parë iniciativën e ndërmarrë nga koleksionisti shijakas për të ekspozuar këtë pasuri të çmuar të mbledhur prej tij për shumë vite me radhë. Ndërsa falenderoi pushtetin lokal të Durrësit, që mbështeti z.Perati për hapjen e ekspozitës, Lafe theksoi se Ministria e Kulturës do t'i qëndrojë pranë jo vetëm koleksionistit shijakas, por dhe shumë kolegëve të tij që në përputhje me rregullat e shtetit shqiptar i mbledhin dhe i koleksionojnë këto objekte e në të njëjtën kohë garantojnë se do ta vazhdojnë këtë pasion të tyre edhe në vitet në vazhdim. "Kjo punë e heshtur e tyre (pasi askush nuk i detyron të bëjnë një gjë të tillë) dhe iniciativa të ngjashme me këtë të sotmen do të vazhdojnë të përkrahen nga Ministria dhe unë jam këtu pikërisht për këtë qëllim. Unë do të ndalesha në koleksionin e qostekëve, orëve të xhepit të burrave, të cilat veç faktit që më tërhoqën vëmendjen me bukurinë e tyre, por edhe për një fakt tjetër që ka të bëjë me kohën. Ato na tregojnë të gjithëve neve se kemi ditur ta masim kohën, vijmë sot ta shfrytëzojmë kohën dhe sugjerimi im për Lulin dhe gjithë koleksionistët e tjerë është të mos humbim kohën",- tha drejtori Lafe për gazetën "Dyrrah". Grumbullimi i këtyre vlerave të trashëgimisë që janë në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve do të mbetet sipas Lafes një nga prioritetet e drejtorisë së trashëgimisë kulturore. "Të mos t'i hedhim, të mos t'i zhvlerësojmë ato, por t'i grumbullojmë këto vlera sepse e ardhmja është prezantimi i koleksioneve, e ardhmja janë muzetë e vegjël etnografikë, të cilët i rrisim vlerat jo vetëm qytetit të Durrësit, që ka shumë të tilla në rrethinat e tij, por dhe gjithë territorit shqiptar",- tha Lafe. Në të njëjtën kohë ai nënvizoi se gjatë këtij viti që përkon me 100-vjetorin e pavarësisë Ministria e Kulturës do të vërë në dispozicion të koleksionistëve jo vetëm ambientet e saj, por edhe monumente kulture për ekspozimin e këtyre vlerave, pasi në këtë mënyrë garantohet edhe për turistët e huaj një njohje më e gjithanshme e vlerave historike, kulturore e etnografike shqiptare.