Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka dalë me vendimet në bazë të javës së fundit në futbollin shqiptar.

Trajneri i Bylis, Naci Sensoy është pezulluar me dy ndeshje për shkak të protestave kundër arbitrit, teksa në fitoren e të tijve me Kastriotin mori karton të kuq.

Edhe Kukësi nuk ia hedh paq, teksa verilindorët dënohen me 50 mijë lekë gjobë për hedhjen e sendeve të forta të tifozëve në fushë. Dënim edhe për Egnatian U-21 që humbet në tavolinë.

Vendimet e plota:

Zyrtari i KF Bylis, Naci Sensoy, për proteste ndaj vendimeve të arbitrit, në bazë të Nenit 55/2 të KDS, dënohet me pezullim nga aktiviteti për 2 (dy) ndeshje.

FK Kukësi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1, 65/3/a dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Egnatia U-21, për mosparaqitje të ekipit në ndeshjen “Vllaznia-Egnatia”, në bazë të nenit 54/1 i KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.

Pranimin e kërkesës së lojtarit të FC Djelmnia Shkodrane 2017, Albi Brojaj, pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 32/4 të KDS, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.