Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar se dëshmitë e zyrtarëve për sistemin TIMS në Komisionin Hetimor, sipas tij, janë tronditëse. 

Ai deklaroi se “ndaj duan mbylljen e dyerve të Komisionit”, duke shtuar se sistemi TIMS i ka shërbyer grupeve kriminale dhe se janë fshirë të dhënat për t’u dhënë mundësinë që të arratisen. 

“Qytetarët dje nuk kishin mundësi të ndiqnin atë që ka ndodhur në Komisionin hetimor për TIMS por dëshmitë e zyrtarëve janë tronditëse. 

Ndaj duan mbylljen e dyerve të Komisionit sepse kanë përdorur një sistem të sigurisë kombëtare për ti shërbyer grupeve kriminale, kanë fshirë të dhënave sipas interesit të tyre që ata të kalojnë e të arratisen që kur të nxjerrë urdhërata SPAK të mos jenë në Shqipëri por në Dubai. Është projekt politik, Rama ka ardhur në pushtet me krimin e organizuar. 

I keqpërdor në zgjedhje dhe i përball me qytetarët. Kush mendon se do i ikë më propagandë kësaj çështje, konfirmoj se kjo nuk do të ndodhë. Rama është përgjegjës për forcimin e krimit të organizuar, ja priteni kur të shpallë ndonjë iniciativë për të luftuar krimin e organizuar”,-tha ai. 

Bardhi foli dhe për protestën para Parlamentit, u shpreh se nuk do të pajtohen me ligje që sipas tij fuqizojnë grupet kriminale. 

Deputeti demokrat deklaroi se “Rama ka zgjedhur të ketë kontratë me përfaqësuesit e grupeve më të rrezikshme kriminale në vend”. 

“Nuk pajtohemi kurrë që qeveria të miratojë ligje, të japë tendera dhe të fuqizojë grupet kriminale. I bëj thirrje kryetares së Kuvendit të zbatojë rregulloren, kërkesa për zhvillimin e një mocioni me debat për një temë që shqetëson shqiptarët, do të duhet të kishte bërë mbledhjen për të caktuar kohën e debatit. 

Nëse mendon se do t’ia hedhë sa herë që Rama ka qenë në vështirësi duke injoruar kërkesat e grupit parlamentar të PD, do ishte e papranueshme ne. 

Rama ka zgjedhur të ketë kontratë me përfaqësuesit e grupeve më të rrezikshme kriminale në vend. Kjo çështje duhet të jetë në rendin e ditës, deputetët do të duhet të trajtojnë me përgjegjshmëri situatën e rëndë ku ndodhet vendi dhe të kemi mundësi të bëjmë propozimin tonë sesi do të shkëputen fijet e pushtetit me krimin e organizuar”,-tha Bardhi.