Në këtë fillim marsi, Orkestra e Harqeve “Aleksandër Moisiu” Durrës ngjiti në skenë koncertin e parë simfonik për këtë vit.

Me një repertor të përzgjedhur nga veprat më të mira të kompozitorëve botërorë dhe nën shoqërimin e flautistes së mirënjohur Jonela Golemi, instrumentistët durrsakë luajtën për herë të parë simfoninë X të Mendelsohn Bartholdy.

Me një karrierë të gjatë mbi shpinë dhe interpretime në shumë skena botërore, flautistja Golemi shkelte për herë të parë mbrëmjen e së martës skenën e Durrësit. Dhe emocionet nuk kishin sesi të mungonin.

Publiku në sallë priti mjaft ngrohtë interpretimin e virtuozëve durrsakë, që këtë vit të ri e nisin me një moment historik siç e konsideron dirigjenti Petrika Afezolli aprovimin e rregullores së orkestrës së harqeve.

Vitin e kaluar, Orkestra e Harqeve të Durrësit u shpall orkestra më e mirë në edicionin VIII të Takimit Kombëtar të Muzikës së Dhomës dhe Orkestrave të Harqeve të mbajtur në Elbasan.  

M.B.