Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë komente të forta për situatën në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut si “një luftë të vogël”, ndërsa përballjen me Iranin e përshkroi si “një luftë të madhe”.
Gjatë një deklarate për mediat, Trump sugjeroi se presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa, mund të luajë një rol kyç në Liban dhe të përballet me Hezbollahun më efektivisht se Izraeli.
“Ai është shumë i mirë me Hezbollahun, nuk i pëlqen ata”, tha Trump, duke iu referuar al-Sharaa-s.
Trump komentoi edhe operacionet ushtarake izraelite kundër Hezbollahut, duke theksuar se bombardimi i ndërtesave të tëra për të goditur individë të caktuar sjell humbje të shumta civile.
“Izraeli po lufton kundër Hezbollahut prej shumë kohësh dhe shumë njerëz po vriten. Nuk është e nevojshme të shembësh një pallat sa herë që kërkon dikë, sepse në ato ndërtesa ka shumë njerëz dhe jo të gjithë janë pjesë e Hezbollahut”, u shpreh ai.
Në fund, presidenti amerikan zbuloi se i kishte sugjeruar Izraelit të lejonte Sirinë të merrej me Hezbollahun.
“I sugjerova Izraelit që ta linte Sirinë të kujdesej për Hezbollahun, sepse, për të qenë i sinqertë, mendoj se ata do ta bënin këtë punë më mirë”, deklaroi Trump.





