Republika Demokratike e Kongos ka bërë të ditur të hënën, 8 qershor, se numri i vdekjeve të konfirmuara nga Ebola ka arritur në 101, ndërsa prania e grupeve të armatosura po vazhdon të pengojë reagimin në provincën më të goditur.
Shpërthimi i virusit Ebola të llojit Bundibugyo u shpall më 15 maj, por autoritetet thonë se ai kishte mbetur i pazbuluar për disa javë, duke bërë që shërbimet shëndetësore të mbeten pas në përballimin e situatës.
Sëmundja po përhapet në tre provinca që prej vitesh janë të prekura nga konflikte të armatosura: Ituri, Kivu i Veriut dhe Kivu i Jugut.
Në raportin e fundit, qeveria kongoleze njoftoi se janë regjistruar 35 raste të reja, ndërsa kanë humbur jetën 10 persona. Kjo e çon numrin total të rasteve të konfirmuara në 550 dhe numrin e vdekjeve të konfirmuara në 101.
Rastet janë regjistruar në 17 zona shëndetësore në Ituri, si dhe në shtatë zona në Kivu të Veriut dhe një zonë në Kivu të Jugut.
Situata në terren mbetet e vështirë…
Janë raportuar edhe sulme ndaj ekipeve të varrimit dhe qendrave të trajtimit. Një incident i tillë ka ndodhur së fundmi në varrezat e Nyamurongo në Bunia, ku janë plagosur rëndë dy persona dhe janë dëmtuar dy automjete.
Raporti thekson gjithashtu se prania e grupeve të armatosura në zonat Djugu, Irumu dhe Mambasa në Ituri po kufizon seriozisht qasjen humanitare në shumë zona të prekura ose në rrezik.
Megjithatë, qyteti Bunia, kryeqendra e Iturit, raportohet se është relativisht i qetë.
Ndërkohë, një agjenci kryesore shëndetësore në Afrikë kishte njoftuar më herët se numri i rasteve të konfirmuara kishte arritur në 544, ndërsa viktimat e konfirmuara ishin 88.





