Gjatë vitit 2022, bashkia Durrës nuk ka pasur asnjë ankesë nga kandidatët që kanë marrë pjesë në konkurset e zhvilluara për plotësimin e vendeve vakante të punës në institucionin e qeverisjes vendore.

Fakti u bë i ditur nga drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Dhurata Gjoka, gjatë raportimit para anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Gjoka i konsideroi procedurat e ndjekura të ndershme dhe të sinqerta.

“Duke pasur parasysh këtë konkurim të ndershëm dhe transparent gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi pasur asnjë ankesë në lidhje me konkurimin. Kjo tregon fare mire procedurën që bëhet në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë”.

Gjatë vitit që lamë pas kanë qenë plot 54 punonjës të rinj me status të nëpunësit civil që i janë shtuar organikës së bashkisë, shumë më tepër sesa gjatë vitit 2021.

“Si numër total, nëse llogarisim dhe bëjmë një krahasim të vitit 2021 shikojmë një rritje për punonjësit me status të nëpunësit civil. Këtë vit kemi 54, kurse në vitin 2021 kemi pasur 34 punonjës. Pra shifrat janë në rritje qoftë për punonjësit me status të nëpunësit civil, qoftë për ata pa status”.

Aktualisht, bashkia Durrës ka 437 punonjës në total, ndërsa së bashku me ndërmarrjet në varësi numri arrin në 1850 punonjës.  

“Në fund të vitit 2022, bashkia Durrës ka gjithsej 389 punonjës, duke përfshirë dhe MZSH 48 punonjës. Pra në total 437. Nëse përfshijmë ndërmarrjet në varësi shuma totale arrin në 1850 punonjës”.

Në muajin e parë të këtij viti, bashkia Durrës nuk ka shpallur asnjë konkurs për plotësimin e vendeve vakante të punës.

M.B.