Një funeral i trishtë ashtu si vetë jeta e saj, që e shkëputi në mes duke u larguar nga kjo botë së bashku me 3 të vegjlit e saj.

Arkivoli me trupin e Alma Arrazit mbërriti rreth mesditës në varrezat e reja të Durrësit. Një kortezh me pak familjarë shoqëronte për në banesën e fundit 39-vjeçaren që i dha fund jetës në mënyrë tragjike duke u vetëhedhur në ujerat e lumit Buna, në Shkodër, së bashku me 3 fëmijët e saj të mitur Ergesa, Gresi dhe Ardit.

Trupi i së ndjerës u tërhoq nga familjarët e saj, të cilët nuk lejuan që ajo të prehej në varrezat e Shkodrës, së bashku me 3 fëmijët e saj.

Ceremonia e varrimit është kryer në heshtje, pa lot dhe deklarata të familjarëve të saj.

Ishte babai i Almës, Azem Bushati, që këmbënguli që vajza e tij të varrosej në Durrës, ku familja banonte prej disa vitesh dhe ku ishte varrosur para 3 vitesh nëna e saj.

Gjatë ceremonisë, i moshuari është shfaqur i mallëngjyer, ndërsa shihet i ulur mbi një pllaka varri duke lotuar.

Vdekja tragjike e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve të mitur nuk është komentuar nga asnjë prej familjarëve, të cilët kanë refuzuar të japin deklaratë për mediat.

Ndërkohë, po sot janë shoqëruar për në banesën e fundit dy fëmijët më të vegjël të Almës, Gresi 8-vjeçare dhe Arditi 3 vjeç. Mësohet se në ceremoninë mortore nuk ka marrë pjesë babai i fëmijëve Erdgys Arrazi, pasi policia vendore e Shkodrës nuk ka pranuar që të marrë masa për shoqërimin nga burgu të 31-vjeçarit për në varreza.

M.B.