BUJAR QESJA

Jetë e ngarkuar kjo e imja, paçka se prefiksi i moshës ndryshon me minuta. Bëjmë profesionin për të ndihmuar me sa mundemi, atë që quhet shoqëria e jonë, e cila tenton civilizimin profesionist. Shkruajmë pa u ndalur, për jetën, për hallet, për njerëzit, për optimizmin, duke sfumuar me sa mundemi pesimizmin. Na thonë, se nuk po e bëjmë keq këtë punë. Dhe më mirë mbase do bërë, pasi e mira thotë mënçuria nuk ka fund.

Kam një mik. Kam një shok. Kam një koleg të kahershëm, thënë kjo në të folmen shkodranishte. Ka rezistuar dhe po reziston edhe ai profesionalisht. Pa dashur t’i jap konçesione vetes, pasi qëllimi është tek Astriti edhe ai edhe unë, kemi mbetur njëlloj, të pandryshuar. Nuk e kemi shkëmbyer profesionin me kacidhe. Nuk jemi tjetërsuar. Zanatin po e ushtrojmë njëlloj si më parë, me plot pasion dhe përkushtim dhe s’kemi ndërmënd të dorëzohemi.

Sigurisht është kjo një nga arsyjet, që njerëzit masivisht hedhin ndaj nesh fjalë të mira, që na gëzojnë, na frymëzojnë, na nxisin të shtojmë përpjekjet dhe të vazhdojmë të mos ndryshojmë.

Astrit Tahiri! Mbaroi për matematik fizikë. Në rini provoi të luajë volejboll dhe shkoi mirë. Qetësia dhe urtësia, ia lehtësonin detyrën e pasuesit. Por krahas mësuesisë, koha i diktoi të tjera pasione dhe të tjera angazhime. I mori përsipër me plot dëshirë, që t’i kryejë. U bë korespondent i Qarkut të Durrësit i Televizonit Publik Shqiptar. Dhe puna e tij ishte sahat. Reputacioni erdhi në rritje. I saktë si ai. I drejtë si ai. I mënçur si ai. I urtë si ai. Punëtor i madh dhe i palodhur si ai.

Por Titi ka një të “metë”. Nuk duket. Nuk çfaqet. Nuk kërcet gjoksin. Mburrjen e ka të fshehur. Nuk ia shikon, sepse nuk e manifeston. Bashkë na ka lidhur punë e gjatë shumëvjeçare me shoqatën “Durrësi”, ku unë me lapsin dhe Astriti me kameran, kemi fiksuar portrete të njerëzve të çquar të qytetit në çdo degë, arsim, punësim, biznes, anë sociale etj. etj. Kam mësuar nga qetësia e tij. Mbaronim punë dhe nuk kërkonte të përfitonte prej saj.
-Ikim Bujar, më thonte. Ti lemë të tjerët në punët e tyre. Për atë që erdhëm e mbaruam.

Dhe iknim, për të vazhduar sërish bashkëpunimet tona. Kujtoj që me Astrit Tahirin, jemi angazhuar edhe kur na kërkonte njeriu i madh i Durrësit Feruz Mataj. Edhe këtu bënim punën dhe kalonim pas kësaj në hallet tona. Kur qendronim në kohë të lirë, në pauzat kur montomin materialet dhe hidhnim zërin në aparatura, Astriti të ofronte biseda të këndshme. Është nga ato njerëz që ke kënaqësi të bisedosh, e jo më të provosh shansin të bashkëpunosh.

Tregon me elekuencë dhe me një humor, që i shkon pamjes së tij tërheqëse. Tek Astrit Tahiri kupton, që puna dhe sjellja e zbukurojnë njeriun. Flet aty ku duhet, duke qenë i prirur tërë kohën të dëgjoj atë që meritohet. Flet me masë, por punon shumë, shumë.

Ndonëse të 70-tat i ka lënë pas krahëve, forca dhe energjia e tij janë si në rini. I patrëmbur për ngarkesat, duke përballuar edhe shumë rregjistrime vidioklipesh, në natyrë e në mjedise të ndryshme, me dron e pa dron, me ndriçim dhe pa ndriçim dhe mbetet njëlloj sikur të kishte filluar punën.

Astriti bën për shoqërinë. Nuk i shikon gjërat me lente. Ndihmon mesa mundet dhe këtë e transmeton në buzëqeshje dhe fisnikëri. Bashkëpunimi i fundit me Astritin, është një përkujtimore kushtuar një të afërmit tim. Punoi me shumë pasion dhe me nivel profesional. Nuk i thjeshtoi gjërat, por vrau mëndjen sikur të ishte punë diplome. I matur dhe i qetë si përher. Profesionist gjithnjë e më i avancuar, në kapjen dhe pasurimin me elementë teknikë të kohës të tekstit dhe pamjeve filmike.

-Po të kesh ndonjë shqetësim, e shikojmë përsëri. Unë do të bëj si ta mendoni ju. Nuk lodhem. E kthejmë dhe e korigjojmë materialin, si të jetë më mirë për ju. Për mua mos u shqetësoni.

Kështu më tha këto ditë, kur realizuam bashkëpunimin e fundit. U ndjeva mirë. U ndjeva i vlerësuar, nga një mik, nga një shok dhe nga një koleg po kaq i vlerësuar. Ma ngriti rryben. Ma gëzoi shpirtin.

Bashkëpunimet e Astrit Tahirit, me gazetarin dhe kolegun tjetër tonin Gëzim Kabashi, janë tjetër histori suksesi. Dhe gjithnjë mbetet Titi jonë i mirë, i ëmbël, shoqërues dhe kavaljer. Në urtësinë dhe mënçurinë e tij, rendis edhe krijimin e Studio “Tahiri”. Dy djemtë e Titit Laerti dhe Endri, vazhdojnë rrugën e të jatit dhe studio që kanë ndërtuar nga mbiemri i tyre Tahiri, po konkuron në treg, në këtë ekonomi të lirë që po ndërtohet.

-Sa i gëzuar jam Bujar, që dy djemtë janë të vullnetshëm për të kryer profesionin e të jatit! Po bëhen mjeshtra dhe kënaqësi më të madhe nuk ka. Ata shpërblehen për punën e tyre, siç e meritojnë. Ata kanë liri veprimi dhe mendimi dhe ti realizojnë gjërat siç duan. Jo vetëm që nuk i pengoj, por i ndihmoj me sa mundem. Ky është misioni ynë. Punojmë të gjithë së bashku, duke rajtur individualitetin dhe profilin e secilit.

Astrit Tahiri! I urti dhe i mënçuri i gazetarisë durrsake. Astrit Tahiri, trashigimtar i këtij mbiemri të fisëm dibran, pasues i dy prindërve më shumë se të mirë. Astrit Tahiri, suksesi i garantuar i profesionistit. Astrit Tahiri mjeshtri i filmit dhe i mendimit dhe për të cilin ke gjithnjë se çfar të flasësh.

Uroj sa më gjatë kështu!

Bujar Qesja
Durrës: 7 maj 2024