Drejtori i përgjithshëm i projektit vlerëson dhënien e statusit të gazsjellësit

Drejtori i përgjithshëm i projektit më të madh në Shqipëri, ai i ndërtimit të Trans Adriatikut, Kjetil Tungland vlerëson dhënien e statusit me “Rëndësi Kombëtare” të gazsjellësit. Në një komunikatë për shtyp, Tungland shpeh kënaqësinë që Shqipëria i ka dhënë TAP këtë status.

“Dua të falenderoj Këshillin Kombëtar dhe Kryeministrin për dhënien e këtij statusi. Ne do të punojmë ngushtësisht me qeverinë shqiptare për të realizuar TAP, një projekt që do të lehtësojë lidhjen e Shqipërisë me rrjetin energjitik të Europës” shprehet ai.

Javën e kaluar Këshilli Kombëtar i Territorit i kryesuar nga kryeministri Sali Berisha i dhanë gazsjellësi TAP statusin me “Rëndësi Kombëtare”. Kjo i hap rrugën hartimit të Planit Kombëtar Sektorial për projektin e Trans Adriatikut. Hartimi i këtij plani do të drejtohet nga METE. Pas marrjes së këtij statusi korridori me gjerësi 500 metërsh i projektit TAP shpallet “zonë kombëtare”.

TAP është një nga investimet më të mëdha të huaja në Shqipëri, deri më tani me vlerë rreth 1 miliardë euro.