Janë prezantuar olimpikët e Kosovës, të cilët synojnë të arrijnë suksese në “Tokyo 2020”. Gjashtë garues e kanë fituar normën olimpike e pesë të tjerë kanë marrë ftesa për pjesëmarrje në Olimpiadë.Kosova do të përfaqësohet me 11 garues në Lojërat Olimpike të kësaj vere. Komiteti Olimpik i Kosovës i ka prezantuar sot olimpikët që do të jenë pjesë e garës më të madhe të sportit botëror.

Në “Tokyo 2020” do të marrin pjesë gjashtë garues që e kanë fituar normën olimpike, pesë nga xhudoja dhe një nga mundja, dhe pesë me ftesa. Xhudoja kosovare do të përfaqësohet nga Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka dhe Akil Gjakova. Nga mundja, në Olimpiadë do të marrë pjesë Egzon Shala. Boksin kosovar do ta përfaqësojë Donjeta Sadiku, kurse shenjëtarinë, Drilon Ibrahimi. Eda Zeqiri dhe Olt Kondirolli nga noti, po ashtu do të jenë pjesë e Olimpiadës.

Ndërkaq, 11-shen e Kosovës e mbyll garuesi nga atletika, Musa Hajdari. Garuesit kosovarë që marrin pjesë për herë të parë, kanë thënë se kjo është një ëndërr që po ju bëhet realitet.Në Olimpiadën e kaluar, Kosova kishte marrë pjesë me 8 garues, ndërsa tash me 3 më shumë. Drejtuesit e KOK-ut kanë thënë se e presin së paku një medalje nga “Tokyo 2020”.

Siç dihet, në Olimpiadën e Rios, Kosova e kishte fituar të artën me Majlinda Kelmendin. Olimpiada verore, e cila vjet ishte shtyrë shkaku i pandemisë, do të mbahet nga 23 korriku deri më 8 gusht. Garuesit kosovarë do të përcillen drejt Japonisë me ceremoni shtetërore dhe atyre flamurin e Republikës së Kosovës do t’ua japë presidentja Vjosa Osmani. Flamurin e Kosovës në hapjen solemne do ta mbajnë Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova. Paraprakisht, garuesit kosovar do të ushtrojnë maksimalisht në këtë periudhë, për t’u përgatitur sa më mirë për sfidat e karrierës.