Kosovarët duket se janë më të lumtur se shqiptarët që jetojnë brenda kufinjve territorialë të Shqipërisë, pasi në sondazhin e fundit të realizuar nga Gallup, për të përcaktuar popujt më të lumtur në botë, Kosova renditet shumë vende para Shqipërisë.

68% e kosovarëve të anketuar në këtë sondazh i janë përgjigjur “PO” pyetjes nëse ndiheshin të lumtur. Ndërkohë në Shqipëri janë përgjigjur pozitivisht vetëm 64% e të anketuarve.

Fakt që vlen të përmendet është se Kosova dhe Shqipëria kanë lënë prapa thuajse të gjitha vendet e tjera të rajonit, pasi Rumania, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi e Maqedonia renditen shumë më poshtë.

Një tjetër fakt interesant është se shqiptarët janë vetëm një vend më sipër sesa Greqia (63%), një vend që prej dy vitesh është përfshirë nga një krizë e thellë ekonomike. Ndërkohë shqiptarët ndajnë të njëjtën përqindje lumturie me vende si Turkmenistani, Burkina Faso, Kongo dhe Taxhikistani.

Vendet më të lumtur në botë janë ato amerikano-latine. Renditjen e Gallup e kryesojnë Panamaja, Paraguaji dhe El Salvadori me përkatësisht 85% dhe 84% nivelin e lumturisë.

Vendet më të palumtura në botë janë ato të përfshira nga konfliktet si Afganistani apo Jemeni, ato të përfshira në katastrofa natyrore si Haiti, apo vendet ku mohohen të drejtat e njeriut si Gjeorgjia dhe Bjellorusia. Listën e vendeve më të palumtura e mbyll Singapori, i cili e ka përqindjen e lumturisë vetëm 46%. 

 

Metoda e ndjekur nga Gallup

Gallup ka pyetur rreth 1000 persona në 148 vende të botës dhe mbi bazën e përgjigjeve të pesë pyetjeve të drejtuara realizoi më pas renditjen. Pyetjet e drejtuara të anketuarve ishin:

1.  U ndjetë shumë i respektuar dje?
2.  Jeni trajtuar me respekt përgjatë gjithë ditës së djeshme?
3.  Keni mësuar të bësh ndonjë gjë interesante?
4.  Keni buzëqeshur apo ke qeshur shumë dje?
5.  Keni provuar emocione pozitive dje?

Mbi bazën e mesatares së përgjigjeve pozitive që kanë dhënë të intervistuarit për të pesë pyetjet shihet nëse këta persona kanë një vizion optimist për botën apo jo. 

Linku ku janë publikuar rezultatet e GALLUP:   http://www.gallup.com/poll/159254/latin-americans-positive-world.aspx#2