PRISHTINË, 15 shkurt 2013 – Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit e Kosovës (AVUK) ka paralajmëruar se do të shtojë kontrollet gjatë importit të peshkut tajlandez.

Në një njoftim për media, zyrtarë të AVUK-ut kanë thënë se pas marrjes së informacionit se peshku, i cili është me origjinë nga Tailanda, ka prani të lëndës toksike të histaminës, raportojnë gazetat e Prishtinës.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim se të gjitha ngarkesat me peshk që kanë origjinë nga Tajlanda do t’i nënshtrohen kontrollit të detajuar dhe do të ndalohen në kufij deri në marrjen e rezultatit të analizave për prani histamine në peshk.

Dy maune me peshk tani janë të ndaluar në kufi dhe presim verifikimin që do bëhet nga laboratori në prezencë të elementeve që e rrezikojnë produktin”, thuhet në komunikatën për media të AVUK-ut.

Po punohet ngushtë me të gjitha autoritetet kombëtare për ushqim të vendeve që eksportojnë për Kosovë për secilin dyshim që shfaqet në produktet e tyre.

Po ashtu mbahen kontakte edhe me organizatat botërore që merren me sigurinë ushqimore dhe na dërgojnë informata të vazhdueshme për të gjitha ndryshimet apo rreziqet që paraqiten në vende të ndryshme për produkte të ndryshme.