“Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale serbe mbrëmë, 15 minuta pas lëshimit të sistemit të alarmit dhe të shpërndara në 9 lokacione të ndryshme në veriun e vendit, tashmë janë larguar plotësisht nga vetë ata.

Ai ka thënë se me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes, Qeveria e Kosovës zhvendos zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022.

“Grupe të maskuara e me armë të gjata të cilët udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre”, ka shkruar Sveçla.

Sipas tij, këto sulme ishin të përgatitura që një kohë të gjatë e këto përgatitje kulmuan nga takimet në Beograd e në Rashkë.

Krijimi i panikut, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, lëvizja e personave të armatosur e të maskuar brenda vendit, rrahja brutale e qytetarëve tanë si dhe tentim vrasja e zyrtarëve tanë policorë, sipas ministrit të Brendshëm, janë veprime të papranueshme, “në këtë drejtim, janë duke punuar intensivisht hetimet dhe drejtësia padyshim do të ndodhë”.

“Përdorimi i grupeve të tilla kriminale për destabilizim të vendit nga pala serbe nuk e rrezikon vetëm vendin tonë, dhe kjo bëhet edhe më serioze kur Serbia e cila përmes grupeve të tilla synon të arrijë qëllimet e veta merr mbështetje të plotë dhe tashmë publike nga Moska”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se “përveç sulmeve ndaj qytetarëve, dëmeve materiale e tentim vrasjeve ndaj zyrtarëve policorë, ne jemi ballafaquar mbrëmë edhe me sulme kibernetike të cilat kanë tentuar të pengojnë funksionimin shtetëror”.

Ai ka përmendur edhe pasimin e lajmeve të pakonfirmuara dhe pavërteta, që sipas ministrit “kanë cenuar rëndë zhvillimin e operacioneve policore, jetën dhe sigurinë e zyrtarëve policorë dhe në veçanti, informacioni mbi plagosjen e zyrtarit policor ka shkaktuar huti dhe shqetësim të arsyeshëm tek të gjithë familjarët e zyrtarëve policorë të cilët ishin në krye të detyrës në atë kohë”.

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.