Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpërndarë mandatet për kandidatët fitues në qarkun e Kukësit, Korçës, Lezhës dhe Gjirokastrës si dhe ka bërë rirenditjen e kandidatëve në listën e hapur bazuar në votat e marra.

Kështu, në Kukës koalicioni opozitar në Parlamentin e ri do të ketë dy deputetë dhe PS vetëm një.

Lezha ka shtatë mandate; katër i fituan kandidatët e listës së koalicionit të djathtë, dhe tre socialistët.

Nga dhjetë mandatet e qarkut të Korçës, gjashtë u takojnë socialistëve dhe katër Partisë Demokratike.

Ndërsa nga listat e qarkut të Gjirokastrës, tre deputetë dalin nga lista e Partisë Socialiste dhe vetëm një nga ajo e opozitës.

Për të 4 këto qarqe ka përfunduar procesi i ankimimeve.

Javën e shkuar Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e opozitës për pavlefshmëri dhe ripërsëritje të zgjedhjeve për këto qarqe.