1.076 turistë, kryesisht nga Franca e Belgjika kanë mbërritur në Durrës që nga mesi i muajit shkurt me kroçerën “La Belle de L’Adriatique”.
Nesër paradite kroçera do të sjellë një grup tjetër me 180 turistë, të cilët përveç Durrësit, do të zhvillojnë vizita të organizuara edhe në Tiranë dhe Berat.
Agjencia pritëse “Intermed Shiping” bën me dije se tashmë anija turistike është ankoruar shtatë herë radhazi në kalatat e portit më të madh të vendit dhe lundrimi i së shtunës do të jetë i fundit për sezonin pranveror.
Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës (APD), bëhet e ditur se anija me gjatësi 111 metra dhe me flamur belg vjen për të tretin vit në Durrës, por këtë vit do të ankorohet plot nëntë herë në qytetin bregdetar.
Gjatë këtij sezoni turistik ajo pritet të ankorohet edhe dy herë të tjera në portin e Durrësit.