444 turistë, shumica e të cilëve nga Hollanda pritet të mbërrijnë këtë të diel me kroçerë në Durrës, ndërsa qëndrimi i tyre së bashku me anijen në qytetin bregdetar do të zgjasë tre ditë.
Anija turistike me gjatësi 135 metra vjen nga Bari (Itali), mësohet nga Qendra e Informacionit në APD, ndërsa do të ankorohet në kalatën 5 të portit më të madh të vendit
Nga agjencia pritëse KAD, bëhet e ditur se 432 nga udhëtarët vijnë nga Hollanda, ndërsa 12 të tjerët vijnë nga vende të tjera, si Belgjika, Gjermania, Greqia, Suedia, Britania e Madhe dhe SHBA.
Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët e huaj do të vizitojnë qytetin e Durrësit dhe qendrat muzeale e arkeologjike të tij, ndërsa pjesa tjetër të organizuar me autobusë do të vizitojnë qytetet e Tiranës, Beratit dhe Krujës.
Kroçera “Ocean Majesty” i ka nisur lundrimet drejt Durrësit tetë vjet më parë. Të martën në mbrëmje kroçera “Ocean Majesty” do të vijojë lundrimin drejt qytetit jugor të Sarandës.