Për sezonin turistik 2019, kroçerat kanë prenotuar deri tani 27 lundrime drejt Durrësit. Ndërkaq për vitin 2020 janë prenotuar edhe 8 kroçerat e para.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se vetëm kroçerat “La Belle De L’Adriatique” dhe “Monet” do të ankorohen 19 herë radhazi në Durrës, thuajse çdo javë nga muaji shkurt deri në shtator të këtij viti.

“Bukuroshja e Adriatikut” (“La Belle De L’Adriatique”) pas dy vizitave të para me 275 turistë gjithsej, nuk do të mungojë në qytetin bregdetar për 7 ditë të tjera, deri në mesin e muajit prill.

Anija turistike do të jetë në portin e Durrësit përsëri mëngjesin e kësaj të shtune, rreth orës 7.30.

Kroçera “Monet” e cila vjen për herë të parë Durrës parashikohet të sjellë turistë gjatë periudhës maj-shtator të këtij viti në 10 lundrime gjithsej.

Sezoni turistik në portin e Durrësit këtë vit ka nisur më shpejt dhe do të zgjasë mbi  9 muaj. Deri tani në APD është njoftuar edhe mbërritja e kroçerave dhe velierave të tjera turistike si “Seven Seas Voyager”, “Nautica”, “Sea Cloud”, “Sirena”, “Amera” apo “Seaborn Encode”.