Policia e Durrësit, Forca e Posaçme "Shqiponjat",  mbështetur nga FNSH, kanë ushtruar kontrolle të befasishme për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.

Si rezultat i kontrolleve, është arrestuar një tjetër shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet italiane e kanë dënuar me 8 vite burgim.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Interpol Tirana pas informacioneve të marra në rrugë operative  për një shtetas të dënuar në Itali dhe si rezultat i kontrolleve të befasishme të Policisë, kanë bërë të munduar lokalizimin dhe kapjen e tij, konkretisht:

• Ferdinand Tare (Ferdinand LUKA,  Alfred DAJA), 53 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasi i mësipërm ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali, më datë 05.10.2018,  pasi Autoritetet Gjyqësore Bari- Itali e kanë dënuar me 8 vjet 2 muaj e 18 ditë, për veprën penale “Organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike të llojit heroinë”, parashikuar nga neni 73, 74 etj të Kodit Penal Italian.

Kontrollet do vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Durrës për kapjen e personave në kërkim për vepra të ndryshme penale, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, apo kryejnë trafiqe të paligjshme.