Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, përmes një padie civile, kërkon të dëmshpërblehet nga shteti për secilën ditë që u mbajt në paraburgim për më tepër se një vit.

Përkatësisht për periudhën nga 21 shkurti 2017 kur u prangos sipas një masë sigurie të shpallur në mungesë, deri më 19 shtator 2018, ditën kur u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda.

Me argumentin se dëshmitari i drejtësisë që e akuzonte po përpiqej të lehtësonte pozitën e tij para drejtësisë, Artur Zoto këmbënguli pafajësinë gjatë 20 muajve proces gjyqësor.

Zoto, i cili para drejtimit të burgjeve ka qenë gjithashtu zyrtar edhe në Policinë e Shtetit u gjykua i veçuar nga pjesa e biznesmenëve që akuzoheshin se ishin favorizuar për të fituar tenderin e ushqimeve në burgje.

Por duke iu referuar deshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Iliaz Labi, shkalla e parë e dënoi Zoton me 5 vite burgim.

Ky dënim u hodh poshtë nga apeli dhe për rrjedhim Artur Zoto që akuzohej për korrupsion u shpall i pafajshëm.