Në një njoftim për mediat, Policia e Durrësit njofton se efektivët e Stacionit të Policisë Manëz kanë shpëtuar tre pushues nga mbytja, mes tyre një fëmijë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Efektivët e Stacionit të Policisë Manëz, të cilët patrullojnë përgjatë vijës bregdetare në Gjirin e Lalëzit,  paraditen e sotme kanë shpëtuar nga mbytja një fëmijë me iniciale E.P. 11 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ndodhet në spital Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Pak orë më vonë po në Gjirin e Lalëzit, Efektivet e Stacionit të Policisë Manëz kanë shpëtuar nga mbytja dy shtetas të tjerë, shtetasit H.S. 70 vjeç dhe G.Xh. 65 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi H.S. është larguar për në banesë pa probleme për jetën ndërsa shtetasi G.Xh. ndodhet në Spital Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Uniformat blu kanë shtuar shërbimet në zonat turistike për ti ardhur në ndihmë pushuesve, të cilët janë të lutur të telefonojë në numrin 112 për çdo problem.